Hoti: Agjenda e sotme e Kuvendit me tri seanca, tallje me temat që diskutohen
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar në lidhje me seancat e sotme të Kuvendit.
“Agjenda e sotme e Kuvendit, me tri seanca njëra pas tjetrës, është tallje me temat që diskutohen dhe me ata që preken nga këto tema”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.
Ish-kryeministri ka theksuar se me këtë qasje kjo mazhorancë tregon se nuk do konsensus me opozitën për temat e rëndësisë nacionale.
Postimi i plotë i Hotit:
Agjenda e sotme e Kuvendit, me tri seanca njëra pas tjetrës, është tallje me temat që diskutohen dhe me ata që preken nga këto tema.
Ora 10:00: Ligji për pagat dhe ligji për zyrtarët publik, që prekin jetën e 85 mijë zyrtarëve dhe familjeve të tyre.
Ora 12:00: “Strategjia e energjisë 2022-2031”, tema më e rëndësishme e dekadës për secilin shtet, për qytetarët dhe për bizneset.
Ora 13:00: Seancë e re me një marrëveshje ndërkombëtare për kredi, shtatë projektligje, debati për raportin e Komisionit Evropian dhe një raport për një agjenci.
Për më tepër, janë edhe pesë apo gjashtë seanca të hapura që nga fillimi i sesionit vjeshtor të Kuvendit.
Kjo është joserioze. Me këtë qasje kjo mazhorancë tregon se nuk do konsensus me opozitën për temat e rëndësisë nacionale. As debatin e opozitës nuk duan ta lejojnë.
Sa u përket deputetëve të mazhorancës, ata janë aty vetëm për të ngritur dorën kur u kërkohet, pa u marrë me përmbajtjen e asaj që votojnë.