Hoti akuzon koalicion PAN dhe PSD-në për dialogun me Serbinë
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se koalicioni PAN dhe Partia Socialdemokrate (PSD) e ka kthyer në akuzë djallëzore thirrjen për unitet në dialogun me Serbinë.
“Në javët e fundit, thirrjen për unitet në dialogun me Serbinë, koalicioni PAN-PSD e ka kthyer në akuzë djallëzore kundër opozitës. Kjo qasje nuk është e sinqertë dhe as e dobishme për shtetin e Kosovës, përkundrazi. Të mos i ngatërrojmë gjërat. Ne, si gjithmonë, e përkrahim dialogun me Serbinë gjithnjë duke marrë për bazë Kushtetutën. Por, ne nuk do të pranojmë që formati i ekipit të dialogut ta dëmtojë thelbin e demokracisë dhe kushtetutshmërisë në Kosovë. Kosova duhet të ketë qeveri që flet në emër të shumicës së qytetarëve në adresimin e të gjitha çështjeve”.
“Uniteti i cili po pretendohet të arrihet me logjikën ‘të merremi me Serbinë, jo me njëri-tjetrin’ është parullë e koalicionit PAN që ka qëllim ta amortizojë veprimtarinë opozitare dhe mbulojë dështimet e veta. Sa herë që ne bëjmë punën tonë opozitare në mbikëqyrje të qeverisë dhe evidentim të dëmeve që po i bëhen shtetit nga kjo qeveri jo legjitime, koalicioni PAN e përdor dialogun me Serbinë për ta zhvendosur vëmendjen nga dështimet e tyre dhe për ta eklipsuar mungesën e efikasitetit qeveritar”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/