Hoti: Ambasadorët janë zë i fuqishëm i Kosovës në botë
Kryeministri Avdullah Hoti ka zhvilluar sot një video konferencë me ambasadorët e Kosovës, të cilët shërbejnë në misione diplomatike nëpër vende të ndryshme në botë.
“E vlerësoj shumë rolin e ambasadorëve në forcimin e lidhjeve me vendet mike në të gjitha aspektet, e sidomos në orientimin euroatlantik të shtetit të Kosovës. Nga ambasadorët kam kërkuar që me punën e tyre të jenë zë i fuqishëm i Kosovës në botë, pasi që Republika e Kosovës është në një fazë shumë të rëndësishme të shtet-ndërtimit dhe konsolidimit të përgjithshëm”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka theksuar se Qeveria e Kosovës është duke punuar ngushtë me partnerët dhe miqtë ndërkombëtarë në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, në procesin e rimëkëmbjes ekonomike si pasojë e pandemisë Covid-19, si dhe në shumë procese nëpër të cilat është duke kaluar Kosova.
(M.Q / Epoka e re)