Hoti, Bajrami dhe Shala kërkojnë nga UP-ja kompensimin e pagave të papaguara
Në rastin ku ish-kryeministri i Kosovës, Abdullah Hoti dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami e Kujtim Shala, po kërkojnë nga Universiteti i Prishtinës (UP) kompensimin e pagave të papaguara dhe të ardhurave tjera, është caktuar të merret prova me ekspertizë financiare.
Paditësit Hoti, Bajrami e Shala po kërkojnë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, që të obligohet e paditur, UP-ja, që t’ua paguajë atyre shumën mbi 43 mijë euro, bashkë me kamatë ligjore, duke e llogaritur nga data e paraqitjes së padisë, për shkak të pagave të papaguara si mësimdhënës për vitin 2015 dhe muajt janar, shkurt, mars, prill dhe maj të vitit 2016.
Ekspertiza financiare është caktuar në seancën e së martës, pas propozimit të përfaqësuesit të paditësve, avokatit Durim Osmani.
Avokati Osmani ka thënë se është e nevojshme të merret prova me ekspertizë financiare, me qëllim të vërtetimit të gjendjes faktike.
Tutje, i njëjti ka deklaruar se detyrë e ekspertit financiar do të jetë përllogaritja e diferencës së pagave të papaguara dhe të ardhurave të tjera, që përfshinë tatimin në pagë, pagesën e trustit pensional për gjithë vitin 2015 dhe për muajt janar, shkurt, mars, prill e maj të vitit 2016, si dhe kamatën e arritur deri më tani.
Kurse, përfaqësuesi i të paditurës, Safet Thaçi, e ka kundërshtuar kërkesëpadinë e paditësve për periudhën kontestuese, duke u mbështetur në vendimin e të menaxhmentit të të paditurës, të datës 10 dhjetor 2014.
Tutje, Thaçi këtë kundërshtim e ka mbështetur në nenin 3 të Rregullores për të ardhurat personale të UP-së, në të cilin nen sipas tij thuhet se askush nga personeli akademik nuk mund të ketë dy marrëdhënie pune.
Po ashtu, Thaçi ka thënë se edhe neni 4 i Rregullores për të ardhurat personale sqaron faktin se kushdo që nga personali akademik mungon, do t’i hiqen të ardhurat personale nga pagat mujore dhe atë sipas tij për një orë mungese do t’i hiqen 50 euro, kurse për asistent për një orë mungese do t’i hiqen 25 euro.
Dhe në fund të deklarimit, Thaçi ka konsideruar se kërkesëpadia e paditësve është e pabazuar për kompensimin e shtesave të tjera, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas dëgjimit të palëve, gjykatësja Rrezarta Sylejmani -Voca me vendim e ka aprovuar propozimin e përfaqësuesit të paditësve, për marrjen e provës me ekspertizë financiare, ku për ekspert ka caktuar Riza Blakaj.
Seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet pas marrjes së provës me ekspertizën e lartpërmendur.
Ndryshe, sipas padisë të ushtruar më 9 shkurt 2018, Abdullah Hoti, Hykmete Bajrami dhe Kujtim Shala po kërkojnë nga UP-ja kompensimin e pagave dhe të ardhurave tjera.
Në padi thuhet se, paditësit me të paditurën në periudha të ndryshme kanë lidhur kontratë pune, si mësimdhënës në Fakultetin Ekonomik dhe në Fakultetin e Filologjisë. Gjegjësisht, thuhet se Hykmete Bajrami ka lidhur kontratën e punës si mësimdhënëse me UP-në më 13 shtator 2004, Kujtim Shala më 12 janar 2009, kurse Abdullah Hoti më 6 mars 2002, të cilat kontrata kanë vazhduar përmes aneks kontratave ose në mënyrë të vetëkuptueshme, kanë vazhduar në mënyrë të pandërprerë dhe vazhdojnë ende.
Sipas padisë, në bazë të kontratave lëndore, palët paditëse kanë pasur obligim si punëmarrës, ndërsa UP ka pasur obligim si punëdhënës, në kuptim të çështjes kontestuese, pagimin e pagave për punën e kryer sipas kontratave lëndore dhe pagimin e të ardhurave tjera të punëmarrësit.
Mirëpo, në padi thuhet se përfaqësuesi i UP-së, Ramadan Zejnullahu, më 10 dhjetor 2014, nxjerr vendimin në bazë të cilit vendoset që palëve paditëse nuk i kompensohen pagat dhe të ardhurat personale sipas kontratës, përveç orëve të realizuara si mësimdhënës.
Mirëpo, tutje thuhet se Gjykata Themelore në Prishtinë shfuqizon vendimin e UP-së, ku si pasojë, vet pala e paditur, më 11 maj 2016, nxjerr vendimin në bazë të cilit e revokon vendimin lëndor dhe vendoset t’i paguhet paga në mënyrë retroaktive, po që nga kjo datë thuhet se pala e paditur nuk ka paguar pagat sipas vendimit të fundit të datës 11 shkurt 2016.
Paditësit këtë padi e kanë bazuar në nenin 55-58 lidhur me nenin 11, paragrafi 9 të Ligjit të Punës, ku thuhet se është përcaktuar e drejta e punëmarrësit për kompensimin me pagë dhe të ardhurat tjera, në kundërvlerë të punës së kryer në cilësinë e punëmarrësit ndaj punëdhënësit.
Andaj, mbi këtë bazë po kërkohet që të aprovohet si e bazuar kërkesëpadia e paditësve, Abdullah Hoti, Kujtim Shala dhe Hykmete Bajrami, si dhe të obligohet UP që Kujtim Shalës t’ia paguajë shumën prej 21 816 78 euro, Abdullah Hotit t’ia paguajë shumën prej 13 091 40 euro, kurse Hykmete Bajramit t’ia paguajë shumën prej 8 098 80 euro, te të gjithë bashkë me kamatë ligjore, duke e llogaritur nga data e paraqitjes së padisë, për shkak të pagave të papaguara për vitin 2015 dhe muajt janar, shkurt, mars, prill dhe maj të vitit 2016. /BetimipërDrejtësi/