Hoti: BE-ja duhet të shprehë qartë se synimi i dialogut është njohja reciproke
Ish-kryeministri dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti thotë se Evropa duhet të shprehet qartë se synimi i bisedimeve për normalizim me Serbinë është një marrëveshje për njohje reciproke.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Hoti i cili ndodhet për një vizitë në Uashington, ka theksuar se edhe çështja si ajo për asociacionin duhet të diskutohet pikërisht në kontekstin e kësaj njohjeje.
Hoti ka kritikuar qasjen e qeverisë Kurti në përballjen me problemet e brendshme të vendit, duke paralajmëruar se kjo mund të ndikojë në përkeqësim të situatës, përfshirë në fushën ekonomike dhe fushën sociale.
“Besoj se është një moment i mirë duke parë interesimin e shtuar të partnerëve tanë ndërkombëtarë, Shteteve të Bashkuara në veçanti dhe përfaqësuesit që ata e kanë caktuar, emisarin special për Ballkanin Perëndimor që e mbulon edhe çështjen e dialogut, z. Escobar. Më pas e kemi përfaqësuesin e qeverisë gjermane dhe këshilltarin e lartë të presidentit Macron dhe përfaqësuesin special për Ballkanin Perëndimor nga Britania dhe z. Lajçak, pra ka një koordinim më të mirë po duket nga sa ka pasur në të kaluarën. Ajo që po mungon është qartësia në gjithë këta partnerë në qëllimin final të dialogut që është arritja e marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve. Shtetet e Bashkuara gjithmonë kanë qenë shumë të qarta edhe me letrat e fundit që kemi parë nga presidenti Biden dhe Sekretari Blinken. Por e njëjta gjë kërkohet edhe nga partnerët evropianë për të bërë presionin e nevojshëm ndaj Serbisë për të ardhur tek marrëveshja përfundimtare dhe nevojat që kemi ne brenda Kosovës për koordinim më të mirë dhe transparencë të plotë për këtë proces të dialogut dhe që është duke munguar”, ka theksuar Hoti.