Hoti: Besojmë në fitore
Kryeministri në detyrë dhe kandidati i LDK-së për kryeministër, Avdullah Hoti ka thënë se LDK-ja ka hyrë në garë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare e bindur në fitore, jo sepse dëshiron ashtu, por sepse LDK-ja është subjekti me listën me kandidatët më të përgatitur, të gjithë profesionistë të dëshmuar në sfera të ndryshme të jetës.
Hoti ka shkruar në “Facebook” se LDK ka dëshmuar se është model për qeverisje të mirë, ruajtje të sovranitetit dhe integritetit territorial, respektim të rendit dhe ligjit, luftim të krimit të organizuar e korrupsionit, respektim te ndarjes së pushteteve, kultivim dhe thellim të bashkëpunimit me partnerët tonë strategjik.
“Kemi vizion të qartë për jetësimin e ëndrrave të gjeneratave të tëra për Kosovën shtet demokratik, të integruar në BE dhe në NATO, në miqësi të përhershme me SHBA-të. Të gjithë qytetarët e Kosovës, do të përfitojnë nga programi qeverisës i Lidhjes Demokratike të Kosovës, sepse është program përmbajtësor që synon kthimin e normalitetit në çdo sferë të jetës. Ju ftoj që të përcaktoheni për kthimin e normalitetit në jetën tonë, të votoni listën e LDK-së të cilës i prij unë, kandidatë për kryeministër”, ka thënë ai.