Hoti: Çdo vendim i qeverisë Haradinaj është plaçkitje e shtetit
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, ka përsëritur thirrjet e partisë së për qeveri të re, pasi qeverisja e Ramush Haradinajt me secilin vendim po plaçkit shtetin e Kosovës.
Duke folur për insistimin e Haradinajt për të mbajtur taksën përkundër presionit të madh që po bën SHBA-ja për heqje të saj, Hoti ka thënë se këto janë pasojat kur Kosova udhëhiqet nga rrahagjoksit që nuk punojnë në mënyrë të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë.
“Mendoj se është momenti që qeveria e PAN-it të reflektoj dhe t’i hap rrugë qeverisë legjitime dhe të hap perspektivën për Kosovën. Jemi bllokuar me këtë qeveri, merr vendime çdo javë për plaçkitje të shtetit. Sot u vendos që të rritet numri i zëvendësministrave në ministrinë e zhvillimin rural dhe u shtua edhe një koordinator nacional. Është shfrytëzim i situatës për të plaçkitur shtetin”, ka thënë Hoti në emisionin “Interaktiv” të “KTV”-së,.
Për qëndrimet e presidentit Hashim Thaçi për shkëmbim territoresh, Hoti ka thënë se nuk janë gjë e re nga një Thaçi të cilin nuk mund ta ndalë as platforma për dialogun që mund të votohet në Kuvendin e Kosovës.
“Presidenti tash e një vit angazhohet në shkëmbimin e territoreve. Ka një kohë që e thotë edhe publikisht. Aq më tepër që vjen nga një person që është gardian i Kushtetutës. Ai ka qenë kryeministër kur Kosova e ka mbrojtur deklaratën e pavartësisë në vitin 2010. Një person i tillë që i quan kufij të imponuar nga Jugosllavia, por ka tri dekada që punojmë për këtë shtet dhe të hyhet në formula që janë kundër shtetit është e patolerueshme”, ka thënë Hoti.