Hoti: Deri në vjeshtë mund të gjenden fondet për ndërtimin e hekurudhës që lidh Prishtinën e Tiranën
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka qëndruar sot për një vizitë zyrtare në Republikën e Shqipërisë, ku pas takimit me kryeministrin, Edi Rama tha se janë tri projekte strategjike të cilat duhet të realizohen me Shqipërinë, përfshirë edhe një hidrocentral dhe hekurudhën Prishtinë-Tiranë.
Hoti ka deklaruar se duhet konsideruar ndërtimin e një hidrocentrali në Shqipëri por që do ta furnizonte Kosovën me energji elektrike dhe po ashtu përmendi edhe hekurudhën që do të lidhte Prishtinën me Tiranën.
Hoti është shprehur optimist, se do të sigurohen fonde deri në vjeshtën e këtij viti dhe të filloj realizimi i projektit. “Është bërë një praktikë e bashkëpunimit tonë të mbledhjeve të përbashkëta të dy qeverive, unë besoj që duhet të kalojmë në terma praktik të bashkëpunimit tonë. Dëshiroj të përmend tri projekte madhore, që për neve janë të natyrës strategjike, e para është porti i Durrësit, ta kemi një pikë doganore, për të cilin kam punuar edhe unë me ish-ministrin, siç e përmendet edhe ju, ku mallrat hyjnë në Republikën e Kosovës”, ka deklaruar ai.
Ai po ashtu foli edhe për fushën e energjisë. “Çështja e dytë është edhe në fushën e energjisë, sigurisht ne kemi sisteme komplementare energjetike, por duhet të kujdesemi që në afatgjatë të zgjidhim këtë problem, duke konsideruar edhe ndërtimin e një hidrocentrali, në territorin e Shqipërisë për të furnizuar me energji elektrike Kosovën, dhe projekti i madh i bashkimit të dy kryeqyteteve tona me hekurudhë. Është projekt që e kemi ideuar moti, tani duhet të punojmë konkretisht me studimin e fizibilitetit dhe unë mendoj se deri në vjeshtë të këtij viti mund të gjenden edhe fondet konkrete për realizimin e këtij projekti”, ka thënë Hoti.