Hoti dhe drejtuesit e institucioneve shëndetësore diskutojnë për masat e reja kundër Covid-19
Ka nisur takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti me drejtuesit e institucioneve shëndetësore të Kosovës.
Në këtë takim pritet të propozohen masat e reja kundër koronavirusit, të cilat pritet të miratohen gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, që do të mbahet në orën 15:00.
Ky takim ndërmjet Hotit dhe drejtuesve të institucioneve shëndetësore, vjen në kohën kur në Kosovë, është rritur numri i të infektuarve nga koronavirusi dhe rastet e vdekjeve nga ky virus.
Gjatë pesë ditëve të fundit janë regjistruar 557 raste të reja me Covid-19.
Vetëm gjatë të shtunës, autoritetet kanë konfirmuar se nga sëmundja Covid-19, kanë vdekur tetë pacientë.
Po ashtu sot është raportuar se edhe pesë pacientë të tjerë kanë vdekur nga Covid-19, teksa aktualisht në Kosovë janë 66 raste të konfirmuara të vdekjeve nga ky virus.