Hoti dhe Haziri i thurin lavde njëri-tjetrit në nisjen e rrugës me katër korsi Gjilan-Prishtinë

30 korrik 2020 | 11:52

Nisja e punimeve për ndërtimin e rrugës me katër korsi Gjilan-Prishtinë i ka bërë bashkë kryeministrin Avdullah Hoti dhe kryetarin e Gjilanit Lutfi Hazirin.

Për dy bashkëpartiakët  është raportuar për një ftohje raportesh, por sot komunikimi mes tyre ishte shumë i ngrohtë.

Haziri ka falënderuar Hotin që dëshmoi të kundërtën e një fraze të njohur të Gjilanit.

“Kryeministër kur duan në Gjilan të kallxojnë për një punë që s’kryhet thonë: ‘Hajt se e shoh verës’. Por, ju keni ardhur dhe e keni dëshmuar që në pikë të verës punët që kanë mbetur që disa vjet në proces po fillojnë”.

“Më lejoni t’i falënderoj kryeministrin që pa asnjë hezitim me ministren e Financave dhe të infrastrukturës ka mbyllë procesin me BERZh-in. Edhe rëndësia e kësaj rruge është e jashtëzakonshme sepse e rregullon infrastrukturën”.

Edhe Hoti ka falënderuar Hazirin që përveç punës në projekte ekonomike, ka thënë se ka dëshmuar edhe njerëzi ndaj qytetarëve në kohë të pandemisë.

“Sot kemi dalë që të jemi bashkë me kryetarin të një aksi rrugor që i jep frymë Gjilanit. Jam shumë i nderuar që jam këtu për të filluar këtë projekt që besoj se në kë kohë rekorde do ta përmbyllim. Jemi në një kohë të pandemisë dhe Gjilani është ndër komunat më të prekura. Përgëzoj punën e kryetarit edhe për përkushtimin njerëzor që ka pasur në vazhdimësi. Do të jemi bashkë në këtë luftë, por edhe në investimet ekomomike”, ka thënë Hoti.

Hoti edhe në këtë ceremoni ka përsëritur se në prioritet ka jetën e qytetarëve, pa lënë anash ekonominë.

Në festën e nisjes së një rrugë të rëndësishme për gjilanasit ishte edhe ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, i cili ka thënë me dekada kanë munguar zhvillime të tilla.

“Jemi prapë në Gjilan për fillimin e këtij projekti të përbashkët. Do të vijmë pas disa javësh për tenderimin e autostradës së Bresalcit. Gjilani po e merr vëmendjen e duhur nga Qeveria Hoti ku me dekada të tëra kanë munguar zhvillimet”, ka thënë Abrashi.

Pas tre bashkëpartiakëve fjalën e ka marrë edhe përfaqësuesi i BERZh-it, Arianit Blakaj, i cili ka premtuar edhe projekte të tjera.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pranuar…