Hoti dhe Vuçiqi në Bruksel për çështje të “nxehta” politike

07 shtator 2020 | 10:32

Sot (e hënë) do të mbahet një raund i ri dialogut në nivelin më të lartë politik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Ndryshe nga takimi i 4 shatorit në Uashington, ku u bisedua dhe u arrit marrëveshja ekonomike, kësaj radhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, pritet të diskutojnë për çështje politike.

Udhëheqësi i delegacionit i Kosovës ka thënë se do të diskutohet për njohje të ndërsjellë, kurse udhëheqësi i delegacionit serb ka paralajmëruar se do të ngrehet çështja e asociacionit të komunave me shumë serbe.

“Bazuar në zotimet që i kemi dhënë në Samitin e Parisit më 10 korrik 2020, si dhe mbështetjen që kemi marrë nga presidenti Makron dhe kancelarja Merkel, të hënën në Bruksel e takojmë palën serbe për të dialoguar për marrëveshjen përfundimtare për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. Në profilin e vet në “Facebook”, ai ka shkruar se në këtë proces nuk do të ketë marrëveshje të ndërmjetme, apo parciale që nuk e zgjidh problemin përgjithmonë.

“Marrëveshja arrihet vetëm atëherë kur përmbyllet me njohje reciproke. Nuk do të ketë marrëveshje të ndërmjetme, parciale apo kreative që nuk e zgjidh problemin përgjithmonë. Do të ketë vetëm marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke, që është sistematike dhe ku përfshihen të gjitha çështjet që duhet të adresohen në mes të dy vendeve të pavarura duke u bazuar në konventat, standardet dhe praktikën ndërkombëtare të rregullimit të marrëdhënieve në mes të dy vendeve të pavarura. Kosova mbetet e përkushtuar për paqe, stabilitet, zhvillim dhe integrim euroatlantik të të gjithë regjionit”, ka shkruar Hoti.

Kurse presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, këmbëngul për dialog politik të Kosovës dhe të Serbisë.

“BE-ja padyshim se dëshiron një rol kyç për veten dhe dëshiron që ajo të jetë bartësja e këtij procesi. Ajo po analizon atë që është bërë në Uashington dhe mendoj se dëshiron të përdorë një pjesë të asaj që është arritur në Uashington për të bërë përparim më të shpejtë. Se a janë më të lumturit në botë – kushdo që do t’ju thoshte atë – nuk do ta thoshte të vërtetën,”, ka thënë Vuçiqi gazetarëve, pas një takimi me të dërguarin special të sekretarit të shtetit të ShBA-së për rajonin, Mathew Palmer. Ai ka deklaruar se dialogu me Kosovën është detyrim i shtetit të cilin e ka marrë nga paraardhësit. “Nëse do të më pyesnit nëse do ta pranoja atë më 2009 dhe 2010, kur autoritetet tona e pranuan, unë nuk do ta pranoja, por u votua në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe është detyrimi ynë sot dhe ne nuk mund të zgjedhim. Ne jemi në rrugën evropiane dhe ne duhet t’u besojmë partnerëve tanë nga Evropa”, ka thënë ai.

Kosova pret që Brukseli të përkushtohet si Uashingtoni

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova ka hedhur një hap të madh përpara me marrëveshjen në Uashington. Në profilin e vet në “Facebook”, ai ka shkruar se tani pret që edhe Bashkimi Evropian ta tregojë përkushtimin dhe seriozitetin e njëjtë në këtë proces.

“Kosova hodhi një hap të madh përpara me marrëveshjen në Uashington. Me njohjen e Kosovës nga shteti i Izraelit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe një herë dëshmuan lidership botëror dhe konfirmuan interesin strategjik për paqe, prosperitet ekonomik e stabilitet në Kosovë dhe rajon”, ka shkruar ai.

Haradinaj ka kërkuar nga Bashkimi Evropian angazhim për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga pesë shtetet evropiane si dhe përmbushjen e premtimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. “Tani pritjet tona janë që edhe Bashkimi Evropian ta tregojë përkushtimin dhe seriozitetin e njëjtë, duke lehtësuar procesin e njohjes së Kosovës nga shtetet e saj, që ende nuk e kanë njohur Kosovën, si dhe përmbushjen e premtimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Lutjet tona shkojnë drejt Papa Françeskut, me shpresën që shpejt edhe Selia e Shenjtë do ta njohë Kosovën tonë shtet të pavarur e sovran. Vetëm të bashkuar, me besim e mirëkuptim, mund t’ia dalim”, ka shkruar Haradinaj.

Edhe njohësit e rrethanave politike në vend presin që dinamika e procesit në Bruksel të vazhdojë me atë të Uashingtonit. Analisti politik Artan Muhaxhiri pret që në takimin e 7 shtatorit të ketë hapa të mëtutjeshëm konkretë të cilët do të çojnë drejt kësaj marrëveshjeje përfundimtare. “Takimi në Uashington ka pasur një rëndësi të jashtëzakonshme dhe është e pritshme që ky ritëm të vazhdojë edhe në takimin në Bruksel. Tani kemi hyrë në një fazë të konkretizimit të çështjeve dhe një gjë e tillë do të bëhet hap pas hapi. Është iluzion të pritet ndonjë arritje e madhe në Bruksel, por ajo që duhet të bëhet atje që të vazhdojë aspekti i konkretizimit të çështjeve siç ndodhi edhe në Uashington”, ka thënë Muhaxheri.

Takimi në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë vjen pas një takimi që palët patën në Shtëpinë e Bardhë në Uashington më 4 shtator, ku u nënshkrua marrëveshja për normalizimin ekonomik mes dy shteteve. Faza finale e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka rinisur në Bruksel më 16 korrik. Në takimet e zhvilluara së fundi në Bruksel, është diskutuar për të zhvendosurit, të pagjeturit dhe bashkëpunimin ekonomik.

Hoti takohet me Palmerin dhe Lajçakun: I lumtur që po shoh koordinim të BE-së dhe ShBA-së për marrëveshjen finale

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, të dielën është takuar në Bruksel me emisarin special të BE-së për dialog në mes të Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajcak, dhe zëvendësndihmëssekretarin e Departamentit të Shtetit të ShBA-së, Matthew Palmer. Hoti ka thënë me Lajçakun dhe Palmerin ka diskutuar për zhvillimet në dialog.

“Jam shumë i kënaqur që po shoh koordinim të plotë në mes të BE-së dhe ShBA-së lidhur me marrëveshjen finale në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.

Hyseni: Ka përafrim të qëndrimeve që çojnë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse për njohje reciproke

Koordinatori shtetëror i Kosovës për dialogun me Serbinë, Skender Hyseni, ka bërë me dije nga Brukseli se ka përafrim të qëndrimeve të palës serbe dhe asaj të Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për njohje reciproke.

“Jemi afër, sot kanë qenë pak konstruktive këmbimet, qëndrimet, mendimet. Ka mbetur shumëçka për të rrumbullakuar nesër në nivel të lartë. Sonte do të diskutojmë edhe veç e veç për çështjet që kanë mbetur më kontestuese. Ka përafrim të dukshëm të qëndrimeve për ato që po i quaj elemente të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për njohje reciproke”, ka thënë Hyseni.

I pyetur nga gazetarët se a ka optimizëm që deri të hënën (sot) në takimet e liderëve të vijë deri te përmbyllja e çështjeve që ka të bëjë me të zhdukurit, të zhvendosurve dhe bashkëpunimin ekonomik, Hyseni ka thënë se ka përafrim dhe se, sipas tij, nuk bëhet fjalë për marrëveshje të veçantë, janë zotime parimore që këtyre temave t’u qasen në një ambient mirëbesimi pas nënshkrimit të marrëveshjes gjithëpërfshirëse.

“Në takimin e parë në nivel të lartë ka pasur një pajtim që të trajtohen pretendimet financiare nga të dyja palët, ndërkaq për asociacionin ne nuk jemi në dijeni, por ky është një tip dialogu që nuk paragjykon apo nuk parapërjashton mundësinë që secila palë të nxjerrë një temë në tavolinë dhe ne jemi të gatshëm të trajtojmë çfarëdo teme që del në tavolinë”, ka thënë Hyseni.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rafet Prekazi ka komentuar ndeshjen Kosova - Greqia, e cila…