Hoti diskutoi me partnerët ndërkombëtarë për gjendjen epidemiologjike në vend

28 gusht 2020 | 13:45

Në funksion të koordinimit me partnerët tanë ndërkombëtarë, sa i përket situatës epidemiologjike si pasojë e pandemisë Covid-19, kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti mbajti sot një takim virtual me ambasadorë të akredituar në vendin tonë dhe me drejtues institucionesh partnere ndërkombëtare.

Në këtë takim morën pjesë ambasadorët Philip S. Kosnett (SHBA), Nicholas Abbott (Mbretëri e Bashkuar), Jörn Rohde (Gjermani), Marie-Christine Butel (Francë), Nicola Orlando (Itali), Natacha Gomes (Luksemburg), zëvendësambasadorja e Norvegjisë Jenny Stenberg Sørvold, drejtori i Bankës Botërore për Kosovën, Massimiliano Paolucci, koordinatorja për Zhvillim e Agjencive të Kombeve të Bashkuara, Ulrika Richardson, zëvendësshefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Riccardo Serri, shefi i Seksionit të Bashkëpunimit të BE-së me Kosovën, Luigi Brusa dhe zëvendëskryesuesja e Bashkëpunimit e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Hillen Francke.  

Kryeministri Hoti paraqiti situatën epidemiologjike dhe veprimet që po ndërmarrin institucionet tona për t’i rritur kapacitet e menaxhimit dhe parandalimit të përhapjes së pandemisë Covid-19.

Po ashtu, ai i falënderoi vendet dhe institucionet partnere për ndihmën e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës për përballimin e kësaj pandemie. 

“Pjesëmarrësit në diskutim u pajtuan që të intensifikohet koordinimi i punës së institucioneve të Kosovës me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht sa u përket nevojave që ka sistemi ynë shëndetësor për ta përballuar situatën epidemiologjike gjatë periudhës në vazhdim”, bëhet me dije në njoftimin e Qeverisë.

“Gjithashtu, u arrit pajtimi që të formalizohet një mekanizëm i përbashkët i shkëmbimit të informacionit të analizës për situatën epidemiologjike, me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve të përbashkëta”, theksohet në këtë njoftim.

(Q.R / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dënuar aktin…