Hoti: Do të marrim masat e nevojshme për fillim të vitit të ri shkollor
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka bërë me dije se do të merren masat e nevojshme për fillim të vitit të ri shkollor.
Ai ka treguar se për këtë çështje sot ka takuar ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (ISHPK), Naser Ramadani dhe drejtorin e përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se nga ta ka kërkuar që në të gjitha institucionet shkollore të ndërmerren veprimet e nevojshme për respektimin e masave dhe protokollove të caktuara nga ekspertët e shëndetësisë.
Postimi i plotë i Hotit:
Do të marrim masat e nevojshme për fillim të vitit të ri shkollor.
Sot jam takuar me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (ISHPK), Naser Ramadani dhe drejtorin e përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi.
Duke vlerësuar punën e stafit shëndetësor të vendit, gjatë këtyre muajve të rëndë të pandemisë COVID 19, sfidë mbetet rifillimi i vitit të ri shkollor, ndaj kërkova që në të gjitha institucionet shkollore të ndërmerren veprimet e nevojshme për respektimin e masave dhe protokollove të caktuara nga ekspertët e shëndetësisë.
Në këtë takim u diskutua për gjendjen e përgjithshme epidemioligjike në vend, me theks të veçantë në menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID 19, ndaj kërkova po ashtu, që institucionet e shëndetit publik dhe departamentet komunale të shëndetësisë t’i bëjnë përgatitjet e duhura, në mënyrë që të kryhet me kohë edhe vaksinimi i qytetarëve ndaj gripit sezonal, si një masë mbrojtëse parandaluese ndaj përhapjes së pandemisë COVID 19.