Hoti e Haradinaj-Stublla informojnë ambasadorët për marrëveshjen e Uashingtonit

14 shtator 2020 | 14:16

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, së bashku me kryeministrin Avdullah Hoti dhe Drejtorinë e Përgjithshme të MPJD-së, mbajtën sot një videokonferencë me ambasadorët e Republikës së Kosovës që janë në misione diplomatike nëpër botë.

“I informuam rreth marrëveshjes së arritur në Uashington për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Serbinë nën garancinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si hap i madh pararendës drejt marrëveshjes finale për njohje reciproke. Diskutuam pikat e marrëveshjes së Uashingtonit që ndërlidhen me fushëveprimin e MPJD-së, në veçanti njohjen historike nga Izraeli, dhe implementimin i kësaj marrëveshjeje ditëve në vijim”, ka bërë me dije Haradinaj-Stublla.

Ajo i ka falënderuar ambasadorët për punën e tyre të mirë përkundër gjendjes pandemike dhe masave të kufizimit.

“Ju kërkova atyre dinamikë të shtuar të veprimit diplomatik në proklamimin e të vërtetës së Kosovës, dhe proaktivitet në vendet pritëse që të shfrytëzojë momentumin e krijuar për të krijuar ura të reja miqësie me synimin e shtimit të njohjeve për Kosovën”, është shprehur ministrja Haradinaj-Stublla.

(M.Q / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Piloti Lewis Hamilton arriti në pistën e Mugello suksesin numër…