Hoti: E rikthyem Kosovën aty ku e ka vendin, përkrah miqve tanë ndërkombëtarë
Kryeministri Avdullah Hoti ka thënë se për një muaj, e rikthyen Kosovën aty ku e ka vendin, përkrah miqve tanë ndërkombëtarë.
“Nga një raport i lënduar me BE-në dhe SHBA-të, tani kemi mbështetje nga të gjithë për cakun e dialogut, që është njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve. Për një muaj, ne hoqëm nga çdo diskutim temën e integritetit territorial të Kosovës, të cilën më nuk e përmend kush”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka bërë me dije se me vendosmëri e guxim, e evituan rrugën qorre dhe qasjen izoluese dhe morën përgjegjësitë shtetërore në dialog.
“Këtë e bëmë pa hezitim pasi udhëhiqemi nga parimi i ruajtjes së integritetit territorial dhe unitaritetit të shtetit, si dhe nga respektimi i plotë i kushtetutshmërisë. Kjo është qasja jonë në dialog, që është legjitime dhe e vetme. Koha e politikës izoluese dhe e frikës për t’u përballur është tashmë pas nesh”, ka deklaruar ai.
Hoti ka thënë se parimet e qarta dhe sinqeriteti i tyre përballë partnerëve ndërkombëtarë po mundësojnë ecjen krah tyre, dhe siç thotë “po na sigurojnë garancinë për proces dialogues në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”.
Kryeministri Hoti ka pohuar se kjo do të jetë një marrëveshje që Kosovës i jep atë që i takon, të qenurit e barabartë dhe e integruar në familjen e madhe euroatlantike. “Për këtë ka nevojë populli i Kosovës”, ka theksuar Hoti.
(M.Q / Epoka e re)