Hoti: Është përkeqësuar struktura e buxhetit të shtetit
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se është përkeqësuar struktura e buxhetit të shtetit.
Ai ka thënë se mungesa e investimeve kapitale dhe rritja e subvencioneve janë disa arsye pse nuk ka rritje reale ekonomike.
“Ka ndërruar struktura e buxhetit është përkeqësuar struktura e buxhetit, investimet kapitale kane rënë ndërsa subvencionet janë rrit kjo është arsyeja pse nuk shohim rritje reale ekonomike”, ka thënë Hoti në seancën parlamentare ku është duke u shqyrtuar buxheti i shtetit për vitin 2024.
Më tutje, Hoti ka përmendur disa zotime të qeverisë Kurti që sipas tij, duke parë këto zotime mund të analizohet buxheti.
Ai ka përmendur disa nga premtimet që Hoti ka thënë se nuk janë kryer.
“Duhet ta analizojmë këtë buxhet në kontekst të zotimeve të kësaj qeverie. Çerdhet, banimet social, sigurimet shëndetësore, privatizimi, Fondi Sovran, Banka Zhvillimore”, ka thënë Hoti, duke shtuar se trendi i ekonomisë është në rënie dhe se janë ulur parashikimet për rritje, teksa ka përmendur edhe mungesën e investimeve kapitale.
“1 miliard euro janë më pak të shpenzuar në ekonomi për shkak të rënies së investimeve kapitale”, është shprehur Hoti.