
Hoti falënderon myftiun Tërnava për pezullimin e faljes së Bajramit nëpër xhami
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, në prag të festës së Kurban-Bajramit, ka vizituar sot kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës myftiun Naim Tërnava, pas vendimit të këtij të fundit që nesër të mos falet namazi për festën e Kurban Bajramit për shkak të gjendjes me koronavirus.
Në një konferencë për media, kryeministri Hoti ka falënderuar myftiun Tërnava për vendimin rreth pezullimit të faljes së namazit në xhamitë e Kosovës me rastin e Kurban-Bajramit dhe riteve fetare për dhjetë ditë, si pjesë e parandalimit të përhapjes së COVID-19.
Ndërsa, myftiu Tërnava tha se me kryeministrin Hoti kanë biseduar për gjendjen aktuale që ka të bëjë me virusin COVID-19 dhe mundësinë e thellimit bashkëpunimin ndërinstitucional.
Ai me këtë rast u ka bërë edhe një herë thirrje qytetarëve të Kosovës dhe në veçanti besimtarëve myslimanë që festën e Kurban-Bajramit ta kalojnë në shtëpitë e tyre, për shkak të pandemisë.