Hoti ftohet të raportojë në Komisionin për Legjislacion për Asociacionin
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti do të raportojë në Komisionin për Legjislacion për zotimin e tij për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe si dhe procesin e Vetingut.
Iniciuesi i kësaj kërkese, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi ka thënë se kryeministri duhet të sqarojë si do ta themelojë “Zajednicës”.
“Është shumë e rëndësishme që kryeministri të vijë dhe të raportojë për deklaratat publike për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë. Ta kemi këtu për ta pyetur se si e ka menduar implementimin e këtij asociacioni. Ky raportim nuk ka të bëjë me raportimin e Hotit në Kuvend”, ka thënë ai. Për këtë çështje u pajtua edhe deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri i cili tha se duhet të sqarohen këto zotime, si dhe kërkoi që kryeministri të raportojë edhe për vetingun.
Por këtë kërkesë e cilësoi si të pabazuar kryetari i komisionit, Shkëmb Manaj.
Ndërkaq, komisioni nuk arriti të kaloi në parim projekt kodin civil për shkak të vërejtjes së deputetëve opozitar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Komisioni diskutoi edhe për projektligji për tokën ndërtimore i cili nuk kaloi për shkak të vërejtjeve të deputetëve. Për këtë u kërkua raportimi i ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi për këtë çështje. (ksp)