Hoti garanton mbështetje financiare për RTK-në
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka pritur në takim kryetarin e Bordit të RTK-së, Sali Bashota dhe drejtorin e përgjithshëm të transmetuesit publik, Ngadhnjim Kastrati, me të cilët ka biseduar për mundësitë e transferimit të mjeteve të ndara për RTK-në për muajt janar-mars 2021, sipas ligjit mbi ndarjet buxhetore për vitin 2021, neni 12, paragrafi 10.
Hoti, i ka siguruar përfaqësuesit e RTK-së se qeveria në detyrë, do të analizojë të gjitha mundësitë ligjore, për të ofruar zgjidhje që transmetuesi publik të mos mbetet pa mbështetje financiare dhe të sigurohet mbarëvajtja e punës së këtij mediumi, i cili është themeluar nga Kuvendi i Kosovës.
Për shkak të shpërbërjes së Kuvendit dhe mungesës së komisioneve parlamentare, RTK-ja është duke rrezikuar të mbetet pa mbështetje financiare, pasi Kryesia e Kuvendit, është duke hezituar të ofrojë zgjidhje për situatën e krijuar.