Hoti: Gjatë këtij viti presim përfundimin e investimit në Brezovicë sipas marrëveshjes së Uashingtonit
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se gjatë vitit 2021 pret që të përfundojnë investime në qendrën turistike të Brezovicës, që këtë qendër do ta kthente në një rekreacion turistik.
Ai ka thënë se investimet do të bëhen në kuadër të marrëveshjes së Uashingtonit, nga e cila Kosova do të marrë përgjegjësitë e veta.
Hoti gjatë vizitës në Brezovicë, ku ishte i shoqëruar nga ministrat në detyrë, Vlora Dumoshi dhe Arban Abrashi, ka takuar anëtaret e Federatës së Skiatorëve të Kosovës.
“Kishim një bisedë me skiatorët për kushtet që janë këtu dhe nevojat për rivitalzim për të kthyer këtë qendër një pistë të standardëve botërore”.
“Bashkë më marrëveshjen e Uashingtonit pres që gjatë këtij viti të përfundojmë investimin dhe këtë qendër ta kthejmë në një rekreacion ndërkombëtarë të turizmit”, ka thënë Hoti.
Ndërsa ministri në detyrë i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka thënë se në Brezovicë sipas marrëveshjes së Uashingtonit parashihet të investohen rreth 600 mijë euro.
Në anën tjetër, Vlora Dumoshi, ministre në detyrë e MKRS-së, ka thënë se kanë pasur bashkëpunim të mirë me Federatën e Skiatorëve të Kosovës.
Ajo ka thënë se gjatë ditëve të ardhshme do të prezantojnë edhe planin për fshatrat turistik.
“Në programin tonë kemi paraparë 100 fshatrat turistike e cila do të prezantohet gjatë ditëve në vijmë e cila do të ndikoj në turizëm, sport”, ka thënë Dumoshi, raporton “EO”.
Kurse kryetari i Federatës së Skiatorëve të Kosovës, Milaim Kelmendi, ka falënderuar Dumoshin për përkrahjen e vazhdueshme.
Ai ka thënë se kanë arritur normën olimpike që të përfaqësojnë Kosovën në arenën ndërkombëtare.