Hoti: Hoxhaj po bën akuza naive

26 shtator 2018 | 16:10

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se në takimin e sotëm me përfaqësuesit e të gjitha vendeve të BE-së, i ka siguruar se LDK-ja e mbështet fuqishëm agjendën euro-integruese të Kosovës.

“Si opozitë kemi mbështetur reformat dhe marrëveshjet në mes të Kosovës dhe BE-së që burojnë nga MSA-ja. Ne si opozitë kemi thirrur seancë të jashtëzakonshme për marrëveshjet që burojnë nga MSA dhe i kemi votuar të gjitha”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.

“I falënderova për mbështetjen në Parlamentin Evropian pro liberalizimit të vizave dhe kërkova që sa më parë të përmbyllet kjo çështje edhe në Këshillin e Ministrave, në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mos mbesin të vetmit në Ballkan që nuk mund të lëvizin lirshëm”.

Ai ka shtuar se për temën e dialogut me Serbinë, ka kërkuar që të respektojnë vullnetin e qytetarëve të Kosovës, shprehur përmes të gjithë përfaqësuesve të qytetarëve në Kuvendin e Kosovës, se tërësia territoriale e Kosovës është e pacenueshme dhe nuk mund të jetë pjesë e dialogut.

“Dialogu mbetet i vetmi mekanizëm për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe gjuha nxitëse duhet të dënohet”, ka thënë Hoti.

Ai i është përgjigjur edhe akuzave të zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj, i cili akuzoi opozitën për procesin e vizave.

“Akuza naive dhe e pabazuar e zv.Kryeministrit Hoxhaj dëmton rëndë besimin në mes të pozitës dhe opozitës në të vetmen çështje në të cilën ne kemi dhënë përkrahje parezervë”, ka deklaruar Hoti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka akuzuar opozitën se sot…