Hoti i bindur që për rrugën Deçan-Plavë do të gjendet zgjidhja më e mirë
Kryeministri Avdullah Hoti është shprehur i bindur se për rrugën Deçan-Plavë, ku përkohësisht janë pezulluar punimet, do të gjendet zgjidhja më e mirë.
Ai është deklaruar kështu në vizitën e tij në Deçan pas takimit që e pati me kryetarin Bashkim Ramosaj, raporton Klan Kosova.
“Unë sot e vizitova kryetarin e Deçanit Bashkim Ramosaj që e falënderoj për pritjen. Diskutuam për çështje të rëndësishme, zhvillimin ekonomik lokal të Deçanit, në veçanti për çështjen e rrugës te Manastiri. Kemi kulturë institucionale, edhe si komunë edhe si qeveri, për të respektuar ligjet që janë nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës, vendimet që i nxjerrin institucionet vendore, por gjithashtu jemi këtu për të gjetur zgjidhjen më të mirë për të mbrojtur dhe promovuar interesat e qytetarëve të Deçanit për të avancuar standardin e jetës së qytetarëve të Deçanit, por në të njëjtën kohë për të treguar kujdesin e nevojshëm për objektet e trashëgimisë kulturore të Kosovës dhe botërore siç është Manastiri i Deçanit. Jam i bindur që diskutimet në ditët dhe javët e ardhshme do të gjejnë zgjidhjen më të mirë të dakorduar nga të gjitha palët”, ka thënë Hoti.
Shumë optimist se do të gjendet zgjidhja më e mirë për këtë çështje është shprehur edhe kryetari i Deçanit Bashkim Ramosaj.
“Është përkushtim i yni i përbashkët që të ndërtohet rruga, por që të zgjidhet kontesti në tërësi. Besoj që jemi në rrugë të mirë që t’i zgjidhim të gjitha problematikat që po përballet Deçani tash e një kohë të gjatë”, ka thënë Ramosaj.
Pas këtij takimi, kryeministri Avdullah Hoti do ta vizitojë edhe Manastirin e Deçanit.