Hoti i dërgon letër Borrellit për mosbashkëpunimin e Serbisë për të pagjeturit
Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, Andin Hoti, i ka dërguar të premten një letër përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell për mosangazhimin e Serbisë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë nga ushtria serbe gjatë luftës në Kosovë.
Në letrën e publikuar, Hoti ka thënë se pavarësisht letrës që i ka dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq më 1 qershor, Serbia ende nuk ka ndërmarrë ndonjë veprim për këtë çështje.
“Në përputhshmëri me marrëveshjet me Serbinë, më 01.06.2023, e kam dërguar kërkesën e parë zyrtare tek Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për të pasur akses të plotë në arkiva, por pa u kufizuar në dosjet e klasifikuara që prodhohen në Komandën e Shpërbërë të Brigadës së Motorizuar të Ushtrisë së 37-të Jugosllave. Me dhënien e aksesit të plotë në këtë material, do të shërbente të zbulohen rrethanat e të vrarëve dhe transferimi i eshtrave të zhdukur me forcë si dhe do të kontribuoj direkt në zbardhjen e fatit nga zhdukjet me forcë në rajonin e Drenicës. Edhe pse kanë kaluar katër muaj që nga miratimi i Deklaratës dhe tre muaj që kur letra e lartpërmendur i është dërguar z. Vuçiqit, ende nuk ka një përgjigje nga Serbia”, ka shkruar Hoti në letrën drejtuar Borrellit.
Teksa ka shtuar se ky mos përkushtim i Serbisë i rrezikon përpjekjet për të mos pasur përparim në zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
“Mungesa e bashkëpunimit nga Serbia për të përmbushur përkushtimin e tyre rrezikon përpjekjet tona të përbashkëta për të bërë përparim konkret në zgjidhjen e rasteve të pazgjidhura të personave të zhdukur me forcë, përmbushjen e detyrimeve tona dhe lehtësimin e vuajtjeve të tmerrshme të familjeve”, ka përfunduar letrën Hoti.
Deklarata për Personat e Zhdukur është nënshkruar më 2 maj të këtij viti nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në takimin e nivelit të lartë politik në kuadër të dialogut mes dy vendeve.
Aty, palët janë zotuar se do të angazhohen për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Sipas deklaratës në nënshkruar në Bruksel, brenda 40 ditësh nga miratimi do të duhej të formohej një komision i përbashkët, por i njëjti nuk është formuar ende.