Hoti i reagon Kurtit: Ata që i frikësohen dhe kundërshtojnë Kushtetuesen, nuk kanë qëllime fisnike
Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar ndaj deklaratës se kryeministrit Albin Kurti, i cili ka kritikuar opozitën për kontestimin e disa ligjeve në Gjykatën Kushtetuese.
Hoti ka thënë se ata që kanë frikë dhe kundërshtojnë dërgimin e ligjeve në Kushtetuese, nuk kanë qëllime fisnike.
“Ligjet dërgohen në Kushtetuese kur ka dyshime se mund të cenohet rendi kushtetues. Ai që ka frikë dhe që shpreh kundërshtim ndaj dërgimit të ligjeve në Kushtetuese ka qëllime politike jo fisnike, të cilat nuk janë në interes të qytetarëve por të tij personalisht”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka dërguar në Kushtetuese Ligjin për Byronë shtetërore për verifikim dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. Po ashtu, opozita ka dërguar në Kushtetuese edhe disa ligje të tjera, duke përfshirë atë për zyrtarët publikë dhe Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.