Hoti ia kujton Haradinajt marrëveshjen e bërë me SBASHK-un për rritje të pagave 30%
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ua ka kujtuar kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli një marrëveshje të bërë me SBASHK-un gjatë fushatës së fundit zgjedhore.
“Dikur koalicioni i “punëve të mëdha” kërkonte votat e arsimtarëve, duke iu garantuar 30% rritje të pagave (shih videon). Tani me arrogancë u kërkojnë ndërprerjen e grevës. Mashtrimet elektorale kanë dalë sheshit”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se kërkesat e SBASHK-ut duhet të merren në konsideratë, pasi nuk po kërkojnë rritje të pagës, por trajtim të barabartë në strukturën e pagave në sektorin publik.
“Zgjidhja është e thjeshtë:
1. Qeveria të anulojë vendimin për dyfishimin e pagës për vete,
2. Projektligji i pagave të tërhiqet dhe të rishkruhet në konsultim me arsimtarët, mjekët, shërbyesit civil, policinë, zjarrfikësit, doganierët, inspektorët tatimorë, komunat dhe sektorët e tjerë”, ka shkruar Hoti.