Hoti: Importet nga Shqipëria janë zvogëluar për 10 për qind, nga Serbia janë rritur me 30 për qind
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, duke krahasuar muajin gusht me atë të vitit të kaluar, ka thënë se importet nga Shqipëria janë zvogëluar për 10 për qind, ndërsa ato nga Serbia janë rritur për 30 për qind.
Në seancën e Kuvendit të Kosovës, ai ka folur për tregtinë e jashtme në bazë të raportit të Agjencisë së Statistikave.
“Nëse shihen importet vetëm me vendet e regjionit, po e marr vetëm muajin gusht të këtij viti krahasuar me gushtin e vitit paraprak keni me e pa që nga Shqipëria janë zvogëluar importet për 10 për qind, por nga Serbia janë rritë me 30 për qind. Edhe ju keni me thënë këtu që është ekonomi e hapur, Kosova ka ekonomi të hapur, ka ekonomi të tregut, në rregull pro ka pasur ekonomi të tregut edhe ku i keni përmbysur kamionët me mallra që vinin nga Serbia”, ka thënë ai.
Hoti ka thënë se në bazë të raportit Kosova po importon më shumë se vitin e kaluar në të gjitha mallrat pa përjashtim.
Sipas tij, kjo i vë në pikëpyetje deklarimet për rritje të madhe ekonomike të prodhimit vendor apo ato për 40 mijë vende të punës.
“Thellimi i deficitit tregtar, në bazë të këtyre të dhënave të Agjencisë të Statistikave për periudhën janar-gusht 2022 krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, eksportet e Kosovës janë rritë për 150 milionë por importet janë rritë me 800 milionë dhe kjo e ka çuar deficitin tregtar në 3 miliardë që është rritje për 56 për qind krahasuar me vitin paraprak dhe besoj që këtu ja keni thyer një rekord vetës se kështu po i interpretoni këto çështje”, ka deklaruar Hoti.