Hoti: Inflacioni ka arritur në 14 për qind, qeveria kërkon kredi 50 milionë euro
Në Kuvendin e Kosovës është duke u zhvilluar seancë e radhës plenare.
Me këtë rast, ish-kryeministri, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se të dhënat e fundit kanë treguar se inflacioni i çmimeve në qershor ka arritur në 14 për qind.
“Kjo nënkupton rënie të buxhetit dhe varfërim të familjeve, e duke vazhduar tutje me sektorët si ndërtimtari, bujqësi e të tjera. Që ndikojnë drejtpërdrejtë në punësim, e në ekonomi. Shqetësuese është mungesa e çfarëdo mase e Qeverisë. Në 2019 kur inflacioni ka qenë 3.4 për qind, LV-ja e patë shpall vitin 2019 vit të rritjes së çmimeve me 3.4 për qind. Tash çmimet kanë shkuar në 14 për qind dhe nuk ndërmerret asnjë masë. Shikoni pak ekonomitë e tjera. Pavarësisht që kjo është antikushtetuese derisa s’është shpallur gjendje e jashtëzakonshme,e propozimi jonë e heqjes së akcizës në naftë dhe ulja e TVSh-së do të ndikonte në zbutjen e situatës”, ka thënë Hoti.
Më tutje, ai ka thënë se derisa qeveria po promovon të hyrat buxhetore, nuk po përmend përfitimet që po kanë nga rritja e çmimeve për qytetarët.
“Kurse tek të hyrat buxhetore, ministri i Financave dhe qeveria vazhdimisht po promovojnë të hyrat buxhetore e nuk e mohoj se është edhe për shkak të aktiviteteve ekomomike, por kur ke rritje të çmimeve në import më 24 për qind e kur dihet se këto taksa mbushen nga hyrja në kufi është e qartë se rritja buxhetore reflekton rritjen e çmimeve të mallrave. Pra rritje e buxhetit në kurriz të qytetarëve dhe bizneseve. Paradoksi është se dje ose pardje na erdhi në email zyrtar Projektligji i qeverisë për të ratifikuar një marrëveshje me Bankën Qendrore prej 50 milionë euro”, ka thënë ai.
Avdullah Hoti ka theksuar se në njërën anë mbahet konferenca për rritje buxhetore, e në anën tjetër kërkon qeveria kërkon me marr kredi direkte pa mbështetje.
“Investimet kapitale janë bllokuar për një kohë të gjatë, për mosfunksionim të bordit por edhe për shkak të rritjes së çmimeve të ndryshme dhe si rezultat i mospunës dhe mosrealizimit të kontratave. E shoh të pajustifikueshme se pse nuk vjen në Kuvend rishikimi i buxhetit, për të rishikuar edhe të hyrat edhe shpenzimet në kontekst të zhvillimeve të fundit e për të realizuar nevojat e komunave”, ka thënë Hoti.