Hoti: Institucionet e Kosovës po udhëhiqen në mënyrë jodemokratike
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka bërë me dije se të mërkurën ka mbledhur deputetët e kësaj partie për të diskutuar për situatën në Kuvend, pas dështimit të seancës plenare.
Sipas Hotit institucionet janë duke u drejtuar në mënyrë jodemokratike. “Asnjë seancë e Kuvendit nuk fillon në kohë. Deputetët enden korridoreve pa asnjë informatë. Kjo është nëpërkëmbje e dinjitetit të deputetit dhe të Kuvendit, si institucioni më i lartë i shtetit. Kryetari i Kuvendit, që e quan veten shef të PAN-it, nuk merr asnjë përgjegjësi për kaosin në të cilën e ka futur Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Postimi i plotë i Hotit:
Sot mbajtëm mbledhjen e Grupit Parlamentar për të diskutuar për seancën e nesërme dhe për kaosin që është krijuar në Kuvendin e Kosovës.
Sot ishte edhe një seancë e dështuar e Kuvendit të Kosovës. Në rend dite ishin 61 pika, nga 8 seancat e Kuvendit gjatë vitit 2019. Të 11 seancat e sesionin vjeshtor 2018, dhe gati të gjitha seancat e këtij viti janë të hapura. Kuvendi i Kosovës është paralizuar. Në Kuvend kalojnë vetëm ato pika që dëshiron opozita. Ose ato pika që Kadri Veseli arrin t’i dakordojë me PSD-në.
Asnjë seancë e Kuvendit nuk fillon në kohë. Deputetët enden korridoreve pa asnjë informatë. Kjo është nëpërkëmbje e dinjitetit të deputetit dhe të Kuvendit, si institucioni më i lartë i shtetit. Kryetari i Kuvendit, që e quan veten shef të PAN-it, nuk merr asnjë përgjegjësi për kaosin në të cilën e ka futur Kuvendin e Kosovës.
Institucionet e Kosovës po udhëhiqen në mënyrë jo demokratike. Një qeveri që nuk e ka shumicën po mban peng rendin kushtetues dhe funksionimin demokratik të institucioneve të Kosovës. Ne jemi të vendosur të mos lejojmë një qeverisje jo demokratike. Prandaj, përmes angazhimit tonë në Kuvendin e Kosovës, ne po dëshmojmë se kjo qeveri nuk ka legjitimitet për të qeverisur.
/Epoka e re/