Hoti: Jam me gazetarin Lirim Mehmetaj, nuk guxojmë të mbyllim sytë para këtyre veprimeve
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, si reagim ndaj ftesës së gazetarit Lirim Mehmetaj nga prokuroria, ka përmendur raste kur Vetëvendosje dëmtonte objektet e institucioneve, veturat dhe linçimin e zyrtarëve të shtetit, gazetarë e analistë.
“Askush nuk është thirrur në përgjegjësi për gjuhën e urrejtjes dhe nxitjes. Bile po lirohen edhe për gazin lotsjellës të hedhur në Kuvend, të cilin veprim e ka parë gjithë bota përveç gjykatës”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.
Në këtë kontekst, Hoti ka thënë Vetëvendosje po merret me gazetarin Mehmetaj.
“Unë jam me gazetarin Lirim Mehmetaj. Unë do t’i bashkohem çdo proteste që i del në mbrojtje atij dhe të tjerëve që flasin lirshëm, që flasin sipas bindjeve të tyre”, ka thënë Mehmetaj.
Postimi i plotë i Hotit:
Gjuha e urrejtjes që ka përdorur partia, e cila tani është në pushtet, ndaj kujtdo që e ka kritikuar sa ishte në opozitë ka shtyrë turmat: të dëmtojnë objektin e qeverisë, të dëmtojnë veturat zyrtare para Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, të djegin veturat private të disa zyrtarëve, të linçojnë zyrtarë të shtetit e të partive politike, gazetarë e analistë.
Askush nuk është thirrur në përgjegjësi për gjuhën e urrejtjes dhe nxitjes. Bile po lirohen edhe për gazin lotsjellës të hedhur në Kuvend, të cilin veprim e ka parë gjithë bota përveç gjykatës.
Tani merren me një gazetar, i cili është i pa kompromis ndaj qeverisjes së mbrapshtë që ka katandisur vendin në armiqësi me botën demokratike.
Unë jam me gazetarin Lirim Mehmetaj. Unë do t’i bashkohem çdo proteste që i del në mbrojtje atij dhe të tjerëve që flasin lirshëm, që flasin sipas bindjeve të tyre.
Demokracia duhet të mbrohet, jo vetëm me mbështetje në rrjete sociale. Ne nuk guxojmë të mbyllim sytë para këtyre veprimeve.