Hoti kërkon përgjegjësi nga Qeveria për përjashtimin e AKA-së nga EQAR-i
Shefi i grupit parlamentar, Avdullah Hoti, ka kërkuar përgjegjësi nga kryeministri Ramush Haradinaj dhe nga ministri i MAShT-it, Shyqiri Bytyqi, për përjashtimin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR).
Në fjalën e tij gjatë seancës së jashtëzakonshme parlamentare, Hoti ka folur për pasojat që ky përjashtim mund të këtë për studentët e Kosovës.
“Në vend që të kishim njohje të reja, AKA përjashtohet nga EQAR që është epiteti i parë ligjor evropian që siguron përmbushjen e standardeve të arsimit nga Agjencitë e Akreditimeve. Do të ishte mirë që kryeministri e ministri të japin përgjigje pse është shkarkuar bordi dhe cilat janë arsyet e shkarkimit të anëtarëve ndërkombëtarë të bordit, njërit austriak dhe tjetrit amerikan”, ka thënë ai, duke shtuar se edhe emërimi i anëtarëve të rinj të bordit është bërë në mënyrë jo të duhur.
Sipas tij, nuk do të jetë lehtë që Agjencia e Akreditimit të Kosovës të rikthehet në EQAR.