Hoti kërkon përkrahjen e ambasadorit të Turqisë për garat nacionale në nivelin shkollor

04 dhjetor 2019 | 13:37

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës u prit në takim nga ambasadori i Republikës së Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar.

Në takim u diskutua rreth procesit të garave Nacionale të Kreativitetit Kulturor e Mendimit Kritik, garave Nacionale të Diturisë dhe Sportit.

Ambasadori i Turqisë u njoftua në detaje me të arriturat dhe sfidat gjatë procesit të garave.

“Ne përmes Programit Nacional për Rininë iu kemi mundësuar të gjitha komuniteteve që të përfshihen në procesin e garave sepse njëri nga dy parimet bazë të programit është gjithëpërfshirja. Ne kemi të angazhuar nënkoordinatorin nga komuniteti turk, ngaqë pjesëmarrja e këtij komuniteti ka qenë e jashtëzakonshme. Nga ky komunitet kemi pasur fitues edhe në nivelin republikan ngase në garat e mbajtura në Kreativitet Kulturor e Mendim Kritik dhe garat e Diturisë kemi pasur 44,723 nxënës fitues të vendeve të para për të gjitha nivelet. Ka qenë befasi e bukur sidomos në garat e Kreativitetit pasi që nxënësit me krijimet e tyre paraqisnin edhe kulturën, traditën dhe mënyrën e veshjes kjo e ka bërë garën më të larmishme. Më gjithë vështirësitë dhe sfidat që kemi pasur, kemi arritur të përmbyllim një projekt të jashtëzakonshëm”, ka thënë koordinatori Hoti, duke kërkuar nga ambasadori që të përkrahë financiarisht garën në nivelin shkollor.

Ambasadori Sakar pasi dëgjoi me vëmendje informatat që i prezantoi koordinatori deklaroi: “Kosova është shtet i veçantë për ne. Ju falënderojmë për informatat e dhëna dhe ne pas studimit që do t’i bëjmë këtij projekti do ta shohim mundësinë që ta përkrahim edhe financiarisht,” ka thënë ambasadori Sakar.

Koordinatori Hoti dhe ambasadori Sakar u pajtuan që të vazhdojnë bashkëpunimin edhe në të ardhmen rreth procesit të garave si të shohin mundësitë për përkrahje.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka…