Hoti: Këshilli i kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave përkrah gjendjen e jashtëzakonshme

11 korrik 2020 | 10:55

Kryeministri Avdullah Hoti ka bërë me dije se me organizim të Asociacionit të Komunave të Kosovës, sot patën një video konferencë me kryetarët e komunave për të vlerësuar gjendjen me Covid-19.

“I falënderoj kryetarët për mirëkuptimin dhe mbështetjen për vendimet e Qeverisë lidhur me menaxhimin e Covid-19 dhe për propozimet e tyre për masat shtesë që duhet të marrim në javët në vijim për t’u ulur numri i të prekurve”.

“I informova për angazhimin e Qeverisë për të krijuar kapacitete shtesë shëndetësore në QKUK, në spitalet rajonale dhe në spitalet private, pastaj për rritjen e kapaciteteve testuese dhe decentralizimin e testimeve në regjione dhe në spitale private, për angazhimin e stafit shëndetësor në nivel vendi etj”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.

Ai ka thënë se duhet një koordinim shumë më i ngushtë i inspektorateve për të mbikëqyrë zbatimin e masave, me mbështetje të policisë.

“I falënderova komunat për mbështetjen që i kanë dhënë policisë me logjistikë gjatë kësaj kohe. I njoftova kryetarët se me këtë trend të të prekurve me Covid-19, ne duhet të konsiderojmë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme”.

“Këshilli i Kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës përkrah masat e reja të Qeverisë së Kosovës, përfshirë gjendjen e jashtëzakonshme, në luftë për parandalimin e përhapjes së Covid-19 për ruajtjen e jetës së qytetarëve. Gjendja e jashtëzakonshme nuk nënkupton paralizim të biznesit dhe institucioneve, por u jep autorizime institucioneve përkatëse të ndërmarrin masa të shpejta dhe fleksibile karshi situatës së krijuar”, ka thënë Hoti.

(Q.R / Epoka e re)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Doli nga shtypi, në botim të shtëpisë botuese “Artini” nga…