Hoti: Këta qeveritarë lidhje me shtet nuk kanë
Ish-kryeministri i Kosovës dhe deputeti i LDK-së Avdullah Hoti, ka kritikuar qeverinë Kurti për mënyrën se si është duke qeverisur me vendin.
Duke komentuar “Raportin e buxhetit për vitin 2022”, Hoti ka thënë se qeveria nuk ka lidhje me shtet dhe zhvillim.
“Këta qeveritarë lidhje me shtet nuk kanë, lidhje me ekonomi e me zhvillim nuk kanë. Bazuar në ‘Raportin e buxhetit për 2022’, qeveria i ka dyfishuar pagesat avans për investime kapitale. Gjatë vitit 2022 pagesat avans kanë shkuar në 88.1 milionë euro. Në vitin 2021 kanë qenë 47.5 milionë euro, ndërkaq në vitin 2020 kanë qenë vetëm 20.1 milionë euro. Si ka mundësi që investimet kapitale gjatë vitit 2022 dhe 2021 të jenë shumë të ulëta, ndërkaq pagesat avans të dyfishohen secilin vit?! Besoj se Qeveria ka shumë punë për të sqaruar arsyeshmërinë e këtyre pagesave. Ky raport i buxhetit ka plot anomali të tjera, të cilat do të bëhen të ditura në ditët në vijim”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.