Hoti: Kjo qeveri është e brishtë
Shefi i grupit parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë të martën se qeveria e udhëhequr nga Ramush Haradinaj është qeveria më e dobët që ka pasur Kosova që nga paslufta.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se e vetmja punë e madhe e kësaj qeverie është numri enorm i anëtarëve të saj.
“Kjo është qeveria më e dobët që ka pasur Kosova që nga viti 1999. Është formuar për të kryer punë të mëdha, ndërkaq e vetmja punë e madhe është numri enorm i anëtarëve të kabinetit qeverisës, me 22 ministra, pesë zëvendëskryeministra, mbi 70 zëvendësministra e që, bashkë me stafin përcjellës, bëjnë mbi 520 persona”, ka deklaruar Hoti. Ai ka thënë se përbërja e koalicionit qeverisës është e tillë që nuk siguron funksionim efikas të ekzekutivit.
Hoti ka bërë me dije se kryeministri Haradinaj e ka të pamundur të marrë vendime pa pajtimin e partnerëve të vegjël. “Prandaj, kjo qeveri është e brishtë, sepse shumica parlamentare është shumë e ngushtë, përbëhet nga partnerë të vegjël që përcaktojnë fatin e qeverisë dhe që janë të motivuar për të mos lejuar progres në Kosovë. Mbi të gjitha, i pari i qeverisë vjen nga partia e pestë në Kuvendin e Kosovës, prandaj me vetëm 10 deputetë e ka të pamundur të determinojë çfarëdo nisme legjislative ose vendim madhor”, është shprehur Hoti.
Sipas tij, plani i qeverisë 2017-2021 nuk reflekton nevojat e shoqërisë dhe premtimet elektorale të partnerëve të koalicionit. “Është e qartë për të gjithë se kjo qeveri nuk mund të vazhdojë më tutje. Premtimet për punë të mëdha kanë qenë farsë dhe mashtrim elektoral. Nuk mund të kryhen punët e mëdha me 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Nuk mund të kryhen punët e mëdha kur varesh në çdo vendim nga partnerë të vegjël”, ka deklaruar Hoti, duke shtuar se mocioni i votëbesimit është një nga opsionet për rrëzimin e kësaj qeverie.
Në këtë intervistë Hoti ka folur edhe për çështjen e demarkacionit, duke thënë se LDK-ja, vazhdon ta ketë qëndrimin e njëjtë lidhur me këtë çështje. Sipas tij, mosratifikimi i kësaj marrëveshje i ka lënë qytetarët e izoluar. “Qëndrimi i LDK-së është i qartë siç ka qenë gjithmonë. Mosratifikimi i kësaj marrëveshje i ka lënë qytetarët e izoluar. Pa asnjë argument, disa parti politike e kanë bërë këtë çështje kauzë të veprimit politik. Tash janë zhveshur nga çdo argument i paqenë që kanë pasur dhe nuk dinë si të veprojnë”, ka thënë ai.
Hoti ka vlerësuar se për çështjet madhore gjithmonë është i nevojshëm konsensusi dhe, sipas tij, e kaluara ka dëshmuar se konsensusi mund të arrihet. Në këtë kontekst, Hoti ka thënë se disa parti politike duhet të heqin dorë nga kauzat e rrejshme, të kërkojnë falje dhe të tregojnë se janë të përkushtuar për t’i lëvizur proceset përpara. “Për çështje madhore gjithmonë është i nevojshëm konsensusi. Kosova ka dëshmuar në të kaluarën se konsensusi mund të arrihet. Por, në këtë rast, disa parti politike duhet të heqin dorë nga kauzat e rrejshme, të kërkojnë falje dhe të tregojnë se janë të përkushtuara për t’i lëvizur proceset përpara”, ka theksuar Hoti.
“Epoka e re”: Z. Hoti, si e komentoni 100-ditëshin e qeverisë së udhëhequr nga Haradinaj?
Hoti: Kjo është qeveria më e dobët që ka pasur Kosova që nga viti 1999. Është formuar për të kryer punë të mëdha, ndërkaq e vetmja punë e madhe është numri enorm i anëtarëve të kabinetit qeverisës, me 22 ministra, pesë zëvendëskryeministra, mbi 70 zëvendësministra që, bashkë me stafin përcjellës, bëjnë mbi 520 persona.
“Epoka e re”: Cilat janë të arriturat dhe dështimet e këtij koalicioni qeverisës?
Hoti: Përbërja e koalicionit qeverisës është e tillë që nuk siguron funksionim efikas të ekzekutivit. I pari i qeverisë e ka të pamundur të marrë vendime pa pajtimin e partnerëve të vegjël. Prandaj, kjo qeveri është e brishtë sepse shumica parlamentare është shumë e ngushtë, përbëhet nga partnerë të vegjël që përcaktojnë fatin e qeverisë dhe që janë të motivuar për të mos lejuar progres në Kosovë. I pari i qeverisë vjen nga partia e pestë në Kuvendin e Kosovës, prandaj me vetëm 10 deputetë e ka të pamundur të determinojë çfarëdo nisme legjislative ose vendim madhor. Plani i qeverisë për 2017-2021, i prezantuar në Kuvendin e Kosovës, nuk reflekton nevojat që ka shoqëria e Kosovës, nuk reflekton premtimet elektorale që kanë dhënë vetë partnerët e koalicionit. Prandaj nuk mund të presim se do të ketë zhvillime të mëdha siç është premtuar. Nuk ka plan të reformave ekonomike, nuk ka përkushtim për luftimin e korrupsionit.
“Epoka e re”: Në javën e ardhshme deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet ta shqyrtojnë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi. Cili do të jetë qëndrimi i deputetëve të LDK-së karshi kësaj marrëveshje?
Hoti: Qëndrimi i LDK-së është i qartë siç ka qenë gjithmonë. Mosratifikimi i kësaj marrëveshje i ka lënë qytetarët e izoluar. Pa asnjë argument, disa parti politike e kanë bërë këtë çështje kauzë të veprimit të tyre politik. Tash janë zhveshur nga çdo argument i paqenë që kanë pasur dhe nuk dinë si të veprojnë. I pari i qeverisë e ka votuar marrëveshjen në qeveri dhe e ka sjellë në Kuvend. Kjo është anomalia e radhës e kësaj qeverie, sepse është kryeministri që flet në emër të qeverisë. Nuk ka kuptim që qeveria të sjellë ligje në Kuvend dhe t’i thotë Kuvendit mos i voto. Ka, gjithashtu, mospajtime në mes të partnerëve të koalicionit.
“Epoka e re”: A do të duhej që para votimit të kësaj marrëveshje të arrihet një konsensus që Kosova ta përmbushë edhe këtë kusht, që është vënë për liberalizimin e vizave?
Hoti: Për çështje madhore gjithmonë është i nevojshëm konsensusi. Kosova ka dëshmuar në të kaluarën se konsensusi mund të arrihet. Por, në këtë rast, disa parti politike duhet të heqin dorë nga kauzat e rrejshme, të kërkojnë falje dhe të tregojnë se janë të përkushtuara për t’i lëvizur proceset përpara.
“Epoka e re”: Z. Hoti, LDK-ja ka paralajmëruar ngritjen e një mocioni të mosbesimit ndaj qeverisë së udhëhequr nga Haradinaj, por ende nuk ka diçka konkrete. Kur pritet të ndodhë një gjë e tillë? Cilat janë arsyeja që ju shtynë ta rrëzoni kaq shpejt këtë qeveri?
Hoti: Është e qartë për të gjithë se kjo qeveri nuk mund të vazhdojë më tutje. Premtimet për punë të mëdha kanë qenë farsë dhe mashtrim elektoral. Nuk mund të kryhen punët e mëdha me 10 deputetë në Kuvendin e Kosovës. Nuk mund të kryhen punët e mëdha kur varesh në çdo vendim nga partnerë të vegjël. Nuk mund të kryhen punët e mëdha me partnerë të vegjël që kanë pushtet ekzekutiv pesëfish më shumë se fuqia politike. Këto janë arsyet pse nuk mundet dhe nuk duhet të vazhdojë më tutje kjo qeveri. Mocioni i votëbesimit është një nga opsionet për rrëzimin e qeverisë.
Shqipe HETEMI