Hoti: Koalicioni qeverisës e ka humbur shumicën në Kuvend
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se koalicioni qeverisës e ka humbur shumicën në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka shkruar në llogarinë e vet në “Facebook”, se tani koalicioni ka vetëm 52 vota në Kuvend, ndërkaq partitë opozitare kanë 68 vota.
“Prandaj, është e qartë se ky koalicion i pakicës nuk ka legjitimitet për të qeverisur”, ka shkruar Hoti.
Postimi i tij i plotë:
Situata e re e krijuar në vend, me humbjen e shumices parlamentare nga partite ne pushtet, kërkon që të kapërcejmë interesat e ngushta politike. LDK-ja është e vendosur dhe e pa kompromis në ruajtjen e rendit kushtetues dhe demokracisë në Kosovë.
Ne presim nga partitë e tjera t’i bashkohen nismës tonë për një tryezë të përbashkët për t’u dakorduar për tejkalimin e situatës.
Koalicioni qeverisës e ka humbur shumicën në Kuvendin e Kosovës. Tani koalicioni ka vetëm 52 vota në Kuvend, ndërkaq partitë opozitare kanë 68 vota.
Partitë opozitare të shumicës shqiptare në Kuvendin e Kosovës numërojnë 385 mijë vota. Ndërkaq, partitë shqiptare të koalicion qeverisës numërojnë 245 mijë vota.
Prandaj, është e qartë se ky koalicion i pakicës nuk ka legjitimitet për të qeverisur.
Çdo ditë e humbur pa një marrëveshje në mes të partive politike për punët që duhet kryer bashkërisht deri në zgjedhjet e parakohshme është rrezik dhe humbje për Kosovën.