Hoti: Korrigjimi i kufirit s’mund të bëhet pa mbështetjen e fuqive të mëdha

17 gusht 2018 | 14:15

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka thënë të enjten se në rrethanat aktuale është paradoksale të flitet për korrigjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka vlerësuar se ideja për korrigjimin e kufirit me Serbinë është e pazbatueshme meqë nuk përkrahet nga vendet e fuqishme.

“Në kuptimin praktik, nëse shtetet nuk e njohin njëri-tjetrin dhe nëse njëri e mohon ekzistencën e tjetrit, është paradoksale të flitet për kufijtë ndërkombëtarë, madje mos të flasim për korrigjimin e tyre. Korrigjimi i kufirit nuk mund të bëhet pa mbështetjen e fuqive të mëdha. Nëse ShBA-jë, Gjermania dhe vendet e tjera të fuqishme e kundërshtojnë këtë atëherë e tëra që ngelet në këtë drejtim janë vetëm deklaratat dhe konsumi medial i këtyre ditëve. Kur kësaj i shtohet fakti se të dyja shtetet nuk komunikojnë normalisht me njëri-tjetrin, atëherë kjo bëhet absolutisht e pazbatueshme”, ka deklaruar Hoti.

Ai ka thënë se Kosova duhet të jetë pjesë e dialogut, por në asnjë mënyrë të bëjë koncesione të cilat do të bartnin rrezikshmëri për funksionalitetin e shtetit. Në këtë kontekst, sipas Hotit, më e rëndësishme është se çfarë flitet dhe çfarë vendimesh merren në kuadër të dialogut se sa kush e udhëheq këtë proces.

Ai ka theksuar se Kosova e ka obligim ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe sikur që ka obligim t’i zbatojë në përpikëri rekomandimet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese dhe, sipas Hotit, ky Asociacion nuk guxon të bjerë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk mund të ketë as një lloj kompetence ekzekutive. “Kjo kompetencë do t’i mbante përfundimisht serbët e Kosovës të izoluar dhe shtetin e Kosovës në masë të madhe do ta bënte jofunksional”, është shprehur ai.

“Epoka e re”: Z. Hoti, në aspektin e marrëdhënieve ndërkombëtare si e keni parë idenë për korrigjimin e kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë?
Hoti: Çështja e përcaktimit të kufirit në mes të dy shteteve sovrane kalon nëpër tri faza. Faza e parë njihet me termin demilitacion, që nënkupton shënimin e tyre nëpër dokumente zyrtare, përfshirë këtu harta, skica të ndryshme dhe përshkrime narrative të vijës kufitare. Faza e dytë e shënimit të kufirit njihet me emrin demarkacion, që nënkupton tërheqjen e vijës kufitare bazuar në atë që është bërë në narracion ose në fazën e parë të demilitimit. Faza e tretë njihet me termin rektifikacion, që nënkupton korrigjimin e kufirit kur dy shtete bien në ujdi se shënimi i vijës kufitare nuk është bërë sipas parametrave të duhur dhe i njëjti duhet të korrigjohet. Prandaj mbi logjikën apo konceptin teknik-teorik kjo është e mundur dhe kjo është praktikë e njohur në të drejtën ndërkombëtare. Kurse mbi konceptin praktik është jashtëzakonisht problematike të bëhet një gjë e tillë me Republikën e Serbisë për faktin se të dy shtetet nuk komunikojnë me njëri-tjetrin, nuk e njohin njëri-tjetrin në kontekstin ndërkombëtar dhe nuk kanë raporte të konsoliduara e as komunikim diplomatik. Është shumë e komplikuar për faktin se njëri shtet flet për korrigjim të kufijve ndërkombëtarë, kurse tjetër për mungesën e ekzistencës së tërësishme të kufirit.

“Epoka e re”: Në rrethanat aktuale është e pamundur të bëhet korrigjimi i kufirit me Serbinë?
Hoti: Në këto rrethana është paradoksale të flitet për korrigjim të kufirit nëse paraprakisht nuk kemi njohje dhe komunikim normal në mes të shteteve. Në kuptimin praktik, nëse shtetet nuk e njohin njëri-tjetrin dhe nëse njëri e mohon ekzistencën e tjetrit, është paradoksale të flitet për kufijtë ndërkombëtarë, madje mos të flasim për korrigjimin e tyre.

“Epoka e re”: Si i komentoni reagimet e vendeve të fuqishme lidhur me mundësinë e korrigjimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor?
Hoti: Nuk kam dëgjuar asnjë element të ri në këtë drejtim. Fuqitë e mëdha i kanë ripërsëritur qëndrimet e tyre që i kanë dhënë nga vitet e ’90-ta kur ka filluar shpërbërja e Jugosllavisë nga opinioni juridik i Badinterit, që shtetet e reja të lindin në kufijtë aktualë. Po ashtu, kam dëgjuar të njëjtat qëndrime që janë dhënë nga grupi i kontaktit në vigjilje të zgjidhjes së statusit të Kosovës duke proklamuar se nuk duhet të ketë ndryshim të kufijve, nuk duhet të ketë bashkim të shtetit, as kthim në situatën para vitit 1999. Mbi këtë bazë kemi një konsistencë nga fuqitë e mëdha sepse është fakt i ditur se nëse fillohet me ndryshimin e kufijve nuk flasim vetëm për kufirin Kosovë – Serbi, por edhe për kufijtë e tjerë të komplikuar, fundi i të cilëve është vështirë të parashikohet.

“Epoka e re”: Kjo çështje do t’i rrezikonte marrëdhëniet e Kosovës me vendet e tjera?
Hoti: Korrigjimi i kufirit nuk mund të bëhet pa mbështetjen e fuqive të mëdha. Nëse ShBA-ja, Gjermania dhe vende të tjera të fuqishme e kundërshtojnë këtë atëherë e tëra që ngelet në këtë drejtim janë vetëm deklaratat dhe konsumi medial i këtyre ditëve. Kur kësaj i shtohet fakti se të dyja shtetet nuk komunikojnë normalisht me njëri-tjetrin atëherë kjo bëhet absolutisht e pazbatueshme. Ndryshimi dhe përmirësimi i kufijve nuk do të ndodhë nëse nuk kemi qëndrim mbështetës të fuqive të mëdha. Prandaj e gjithë kjo do të mbetet vetëm në nivelin e deklaratave. Nuk ka zbatim të këtyre qëndrimeve nëse nuk ka mbështetje ndërkombëtar dhe ky është hapi i parë i cili nuk lë hapësirë për të kaluar në hapin e dytë që është rrezikimi i raporteve të Kosovës me vendet e tjera. Vendet e fuqishme nuk e mbështesin idenë për ndryshimin e kufijve, prandaj duhet t’i kthehemi diskursit të deritashëm politik se Republika e Kosovës duhet të nënshkruajë marrëveshje paqeje me Serbinë në kufijtë aktualë dhe të njohur ndërkombëtarisht.

“Epoka e re”: Në opinion sikur ka pasur një lloj frike se çështja e korrigjimit të kufirit ka për qëllim ta lërë në hije çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, përkatësisht kompetencat e tij ekzekutive.
Hoti: Këto janë tematika të ndara. Korrigjimi është çështje e ndarë nga ajo që njihet si asociacion. Çështja e korrigjimit të kufirit është e pazbatueshme. Kurse çështja e asociacionit është obligim juridik ndërkombëtar që ka marrë Kosova me nënshkrimin e marrëveshjes së prillit të vitit 2013. Mbi këtë bazë Kosova e ka obligim ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe sikur që ka obligim t’i zbatojë në përpikëri rekomandimet e dhëna nga Gjykata Kushtetuese dhe ky asociacion nuk bën të bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe nuk mund të ketë as një lloj kompetence ekzekutive, e cila do të mbante përfundimisht serbët e Kosovës të izoluar dhe shtetin e Kosovës në masë të madhe do ta bënte jofunksional.

“Epoka e re”: Pas gjithë këtyre zhvillimeve, si e shihni vazhdimin e procesit të dialogut Kosovë – Serbi?
Hoti: Procesi i dialogut duhet të vazhdojë, duhet të ndiqet trendi i bazuar fund e krye në interesat nacionale. Kosova nuk duhet të bëjë kompromise të reja sepse kompromiset e deritashme janë tregues shumë i qartë se Kosova ka zbatuar standardet më të larta për respektimin e të drejtave të komuniteteve. Kosova duhet të jetë pjesë e dialogut, por në asnjë mënyrë të bëjë koncesione të tjera të cilat do të bartnin rrezikshmëri për funksionalitetin e shtetit. Të gjitha këto tematika dhe këto tensione që janë ngritur gjatë verës duhet të mbesin në nivelin e deklarimeve politike, kurse ecja më tutje duhet të bëhet mbi strukturën dhe kornizën kushtetuese që kemi aktualisht.

“Epoka e re”: Ndonëse është paralajmëruar se në shtator do të ketë një dinamikë të re të dialogut, në Kosovë ende nuk është arritur konsensusi për vazhdimin e këtij procesi.
Hoti: Mungesa e konsensusit politik në Kosovë është për keqardhje. Kjo nuk është diçka e re sepse pothuajse asnjëherë për çaste të ndjeshme nuk kemi pasur konsensus. Megjithatë, konsensusi më i madh i të gjitha partive në pushtet dhe atyre opozitare është Kushtetua e Republikës së Kosovës. Çdo gjë që bëhet në kuadër të respektimit të Kushtetutës dhe të rendit do ta ketë përkrahjen e njërit, respektivisht të këndit tjetër. Idetë e tjera të cilat kanë sjellë divergjenca pozitë-opozitë, madje edhe pakënaqësi te miqtë ndërkombëtarë, përfundimisht duhet të braktisen. Nuk është shumë i rëndësishëm fakti se kush e udhëheq procesin e dialogut me Serbinë, mirëpo ka shumë rëndësi se çfarë bisedohet dhe çfarë vendime merren në këtë proces.

Shqipe HETEMI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollisti shqiptar Donis Avdijajn është huazuar në skuadrën e Willem…