Hoti: Kosova ka shënuar regres në çdo dimension
Ish-kryeministri Avdullah Hoti, ka thënë se nën qeverinë Kurti, Kosova ka shënuar regres në çdo dimension të zhvillimit ekonomik e social.
Ai ka vlerësuar kjo po vërtetohet edhe nga raportet ndërkombëtare.
Hoti ka shkruar në “Facebook” se në këto tri vjet, qeveria Kurti ka qenë në “luftë” me mediat, sindikatat, bizneset dhe çdo zë kritik.
“Lufta e Qeverisë në tri vitet e fundit ndaj mediave, sindikatave, bizneseve dhe ndaj çdokujt që ka qenë kritik ka degraduar demokracinë në vend, zhvillimin ekonomik dhe për barazinë sociale. E kemi ngritur këtë shqetësim në vazhdimësi. Tani po dëshmohet nga tri raporte ndërkombëtare, të cilat i pranuam këto ditë: nga Departamenti Amerikan i Shtetit, nga Freedom House dhe së fundmi nga “Reporterët pa Kufij”. Secili raport më negativ se tjetri. Ky i fundit, që merret me lirinë e mediave, na rendit për 19 pozita më poshtë”, ka shkruar Hoti.
Sipas tij, qeveria Kurti ka ndalur progresin e vazhdueshëm në Kosovë.
“E vërteta është se që nga shpallja e pavarësisë, Kosova është ballafaquar me sfida në ndërtimin e institucioneve të qëndrueshme, në luftimin e korrupsionit, në fuqizimin e mediave dhe shoqërisë civile dhe në avancimin e dialogut social. Megjithatë, nga viti në vit është shënuar progres dhe Kosova ka qenë e renditur Kosovën ndër vendet me demokracinë më funksionale në rajon. Në tri vitet e fundit, për fatin e keq të Kosovës, kemi shënuar regres në çdo dimension të zhvillimit ekonomik e social”, ka shkruar Hoti.