Hoti: Kosova po i kthehet gradualisht normalitetit
Kandidati për kryeministër nga LDK-ja, Avdullah Hoti, ka vizituar disa kompani në Parkun e Biznesit në Drenas me ç’rast ka theksuar mbështetjen e qeverisë për zhvillimin e bizneseve duke vlerësuar se zhvillimi i sektorit privat është shumë i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit.
“Është kënaqësi që të vizitosh kompani vendore dhe investitorë të jashtëm që janë vendosur këtu dhe prodhojnë me standardet më të larta të cilësisë, prodhime këto me eksport të siguruar në vende të BE-së”, ka thënë Hoti.
Ai ka thënë se janari i këtij viti ka qenë më i mirë se janari i vitit 2020 që, sipas tij, nënkupton se Kosova po i kthehet gradualisht normalitetit.
Ai e ka përmbyllur vizitën në Drenas me një takim të përbashkët me të gjithë përfaqësuesit e bizneseve të cilëve iu premtoi mbështetjen e qeverisë dhe krijimin e lehtësirave për qasje në Fondin për garanci kreditore.