Hoti: Kosova s’është mbretëri
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, duke komentuar kërkesën e presidentit Thaçi, ka thënë për “Zërin” që kjo tendencë për të tejkaluar rolin e Kuvendit nuk është e mundur.
“Kosova nuk është mbretëri. Nuk është as diktaturë dhe nuk do të jetë asnjëherë. Të gjithë zyrtarët shtetërorë, pa përjashtim, duhet të respektojnë Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Ndryshe le të bëhen gati të përballen me drejtësinë, por edhe me refuzimin qytetar. Tendenca për të tejkaluar Kuvendit e Kosovës është e kotë”, ka thënë ai.
Kurse Hajdar Beqa, anëtar i Komisionit Parlamentar për Legjislacion nga radhët e PDK-së, ndonëse ka thënë që nuk është i informuar për këtë çështje, ai po ashtu ka theksuar se Kushtetuta e Kosovës e qartëson rolin e Kuvendit dhe të presidentit.
“Nuk kam informata për kërkesën e presidentit, por Kushtetuta është e qartë, që marrëveshjet ndërkombëtare nënshkruhen nga presidenti dhe ratifikohen në Kuvendin e Republikës së Kosovës me 2/3-at e deputetëve. Për momentin mendoj që është mënyra më e mirë e mundshme kjo formë”, ka thënë Beqa për “Zërin”.