Hoti: Kosovës i duhet një qeveri normale, civile dhe profesionale
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se ditëve të fundit vendi ynë është kritikuar ashpër nga partnerët ndërkombëtarë për shkak të involvimit të politikës në institucionet e pavarura.
Ai ka thënë se Kosova duhet të jetë shembull i pavarësisë së institucioneve të pavarura. Në këtë kontekst, Hoti ka thënë se vendit i duhet një qeveri normale, civile dhe profesionale.
“Regres i madh më 2018 në fushën e rendit dhe ligjit dhe të drejtave njerëzore. Ditëve të fundit Kosova është kritikuar ashpër nga partnerët tanë për shkak të involvimin të politikës në institucione të pavarura. Raporti për 2018 i Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut citon të gjetura brengosëse, siç janë: (i) korrupsioni në strukturat qeveritare, (ii) shkelja e të drejtave të refugjatëve në ‘rastin e gulenistëve’, (iii) dhuna ndaj gazetarëve, (iv) involvimi në nivele alarmante i politikës në gjykata, etj”.
“Ironia është se partnerët e koalicionit PAN dhe presidenti shtyhen në mes vete, në përpjekje për tu shfajësuar, duke ia hedh fajin tjetrit. Ne do të kërkojmë përgjegjësi për këtë shkelje. Kosova duhet të jetë shembull se si respektohet të drejtat njerëzore, sepse kemi qenë vetë të shtypur nga një pushtet i dhunës dhe represionit. Kosova duhet të jetë shembull i pavarësisë së gjykatave, sepse synojmë integrimin në BE. Kosovës i duhet një qeveri normale, një qeveri civile dhe profesionale”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.
/Epoka e re/