Hoti kritikon ekzekutivin për reformat fiskale: Qeveria e ardhshme ka shumë punë për sanimin e dëmeve
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka kritikuar qeverisjen Vetëvendosje – Guxo, për reformat fiskale.
Hoti ka thënë se sipas ligjit të ri për procedurat tatimore, nëse biznesi ka paguar më shumë TVSh në ATK, nuk mund ta shfrytëzojë atë kreditim tatimor mbi 3 vjet.
Sipas Hotit, sapo të kalojë periudha 3-vjeçare, ajo shumë e parapagimit tatimor për biznesin është e humbur.
“Ndërkaq, pagesat e tepërta të tatimit në fitim për periudhën mbi 3-vjeçare nuk mund të rimbursohen e as të transferohen në obligime të tjera tatimore që biznesi ka ndaj shtetit”.
“Ky është rezultati i ‘reformave tatimore’ kur ato bëhen pa debat publik shterues dhe miratohen me procedura të përshpejtuara në Kuvend”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.
Më tutje, Hoti ka thënë se qeveria e ardhshme ka shumë punë për sanimin e dëmeve të shkaktuar, sipas tij, me ligje e ndërhyrje kontradiktore kundër biznesit dhe parimeve të ekonomisë së tregut të lirë social.