Hoti kritikon PDK-në për takimin me Kurtin: Ajo pjesë e opozitës që koketon me pushtetin nuk meriton të mbështet
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, është shprehur kundër çfarëdo bashkëpunimi të opozitës me qeverinë Kurti.
Ai ka kritikuar takimin e mbrëmshëm të Memli Krasniqit të PDK-së me kryeministrin Albin Kurti.
Hoti ka shkruar në “Facebook” se ajo pjesë e opozitës që koketon me qeverinë nuk dallon nga pushteti.
Sipas tij, të tillët nuk meritojnë të mbështeten.
“Këta që na sollën draft-statutin e asociacionit, që siç e thonë vetë i ngjason një krijese sikurse në Bosnjë, duhet larguar nga pushteti. Ajo pjesë e opozitës që koketon me ta, sot apo nesër, nuk dallon nga ta dhe nuk meriton të mbështetet. Në vend se të kapeshin fort në parimet e dialogut për njohje, të zhvilluara nga qeveria e mëparshme e që respektoheshin nga aleatët, këta e degraduan pozitën e Kosovës në dialog dhe në skenën ndërkombëtare”, ka shkruar Hoti.
Sipas tij, qeveria Kurti duke e futur opozitën në lojë po mundohet t’i fsheh dështimet e saja.
“Sot, e gjithë bota demokratike pa përjashtim na bën presion për themelim të asociacionit sipas draft-statutit që thirret në rezolutën 1244, që legjitimon strukturat ilegale serbe e që anashkalon Kushtetutën e Kosovës në adresimin e kontesteve ligjore. Nga tetori 2023, këta e kanë pranuar draftin. Nuk janë të zotë t’i thonë jo. Tani kërkojnë të ikin nga qeverisja duke e futur opozitën në lojë se gjoja është paralizuar Kuvendi. Nëse bëhen bashkë si koalicion, me një pjesë të opozitës votohen edhe marrëveshjet ndërkombëtare”, ka shkruar Hoti.