Hoti kritikon presidentin Thaçi dhe Qeverinë Haradinaj
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, gjatë konferencës javore për medie ka drejtuar kritika ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe Qeverisë se drejtuar nga Ramush Haradinaj.
Hoti ka thënë se presidenti Thaçi që nga 27 marsi është duke e bllokuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
“Presidenti nuk është duke e kryer detyrën kushtetuese, ku ai duhet t’i pranojë propozimet e partive politike për anëtare të KQZ-së. Me ketë vonesë presidenti ka krijuar një precedent të rrezikshëm për sistemin zgjedhor në vend dhe për demokracinë. Mos funksionalizimi i KQZ-së për dy muaj ka ndikuar negativisht në punën e kuvendeve komunale. Ne kërkojmë që presidenti sa më parë të kryej obligimin kushtetues dhe të emëroj anëtarët e KQZ-së”, ka thënë Hoti.
Ndërsa, sa i përket vendimit të fundit të Qeverisë për ndarjen e 53 milionë eurove për “Bechtel-Enka” për përfundimin e projektit të autostradës R6, Prishtinë – Hani i Elezit, Hoti ka thënë se ndarje e kësaj shume është plaçkë moderne institucionale.
“Ky është abuzim i parasë publike siç ka qenë abuzim dhe falja e 60 milionë euro borxhe të ndryshme”, ka thënë Hoti.
Më tutje, ai ka folur edhe në lidhje me qëndrimin e LDK-së për platformën për bisedimet me Serbinë.
“Lidhur me këtë platformë e kemi bërë publik qëndrimin si parti politike. Draft- platforma që është dorëzuar në Kuvend nuk e ka mbështetjen tonë. Tash presim çfarë platforme të re do të sjellë Qeveria dhe pastaj do ta themi fjalën tonë prapë”, ka thënë Hoti.