Hoti kritikon pushtetin për AKP-në: As s’e shuan dhe as nuk e themeluan Fondin Sovran
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka rikujtuar zotimin e papërmbushur të Lëvizjes Vetëvendosje për shuarjen e Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe kalimin e aseteve në pronësi të Fondit Sovran që do ta themelonin.
Ai ka thënë se kjo lëvizje, as nuk e ka shuar AKP-në dhe as nuk e ka themeluar Fondin Sovran.
“AKP-ja vazhdon ‘biznesin’ e saj të dhënies me qira dhe shitjes së pronave, në vend që të barten pronat e saj në Fondin Sovran siç është premtuar nga VV-Guxo. Po marr shkas të reagoj nga njoftimet e Agjencisë së Privatizimit për dhënie me qira dhe për shitje të pronave në gjithë Kosovën. Për rikujtim të qytetarëve: në programin e partisë në pushtet është e shkruar e zezë mbi të bardhë: ‘AKP do të shuhet dhe asetet e saj do i kalojnë në pronësi Fondit Sovran’. Jemi në fund të vitit të katërt. As nuk është krijuar Fondi Sovran e as nuk është në plan të shuhet AKP-ja. Çfarë i thonë kësaj? A nuk është ky mashtrim? A nuk përbën dështim në realizimin e premtimeve? Çfarë do t’u thonë qytetarëve kur të përballën me ta për të kërkuar votën e tyre në zgjedhjet e shkurtit 2025?”, ka shkruar Hoti në “Facebook”.