Hoti kritikon Qeverinë dhe komunën e Prishtinës
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka bërë me dije se Qeveria Haradinaj vetëm në vitin 2018 ka punësuar 1245 persona me kontratë mbi vepër.
Ai në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se kjo qeveri vetëm për vendime gjyqesore ka paguar mbi 20 milionë euro.
Ndërsa sa i përket investimeve kapitale për vitin 201, Hoti ka thënë se Komuna e Prishtinës ka pasur të planifikuar 38 milionë euro, por sipas tij i kanë tepruar 57 për qind të mjeteve.
Postimi i plotë i Hotit:
Qeveria e udhëhequr nga PAN-i gjatë vitit 2018:
1. Ka punësuar 1 245 persona për shërbime të “veçanta”, prej te cilave 94 në Zyrën e Kryeministrit,
2. Mban 407 persona të punësuar jashtë listës së pagave,
3. Ka paguar 20.3 milionë euro për vendime gjyqësore,
4. Ka rritur detyrimet kontingjente ndaj palëve në vlerën prej 196 milionë euro,
5. Mjetet e arketueshme (obligime tatimore ndaj shtetit) i kanë arritur në 462 milionë euro (një rritje prej afër 100 milionë krahasuar me 2016).
Në nivel të komunave, Prishtina qëndron më se keqi.
1. Sa i përket investimeve kapitale, me 2018 ka pasur të planifikuar 38 milionë euro. Por, i kanë tepruar 57 për qind të mjeteve, apo 23.3 milionë euro. Nga këto mjete, 9.5 milionë janë mjete të pashpenzuara nga viti 2017.
2. Edhe pse janë dyfishuar faturat e tatimit në pronë në pjesën qendrore të qytetit dhe po ndërtohen banesa te reja në lagje rreth Prishtinës (në Mat, në veçanti), të hyrat nga tatimi në pronë kanë rënie.
Duke qenë se mjetet që komuna po ju mbledh qytetarëve nuk po i shpenzon, ndoshta do të ishte më mirë të ju lihen në dispozicion qytetarëve, pasi ata mund t’i shpenzojnë për mirëqenien e tyre.
(Të dhënat janë nga Raport financiar i Qeverisë për 2018).
/Epoka e re/