Hoti kthehet në Prishtinë: E kam njoftuar Grenellin se nuk mund të marrë pjesë në takimin e 27 qershorit
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka konfirmuar kthimin në Prishtinë, pas zhvillimeve të djeshme.
“Për shkak të zhvillimeve të reja në Prishtinë si rezultat i akuzave të dorëzuara nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, më duhet të kthehem në Prishtinë për t’u marrë me situatën. E kam njoftuar Ambasadorin Grenell se nuk mund të marrë pjesë në takimin e datës 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë”, ka shkruar Hoti.
Megjithatë kryeministri Hoti, të enjten, do të qëndrojë në Bruksel ku pritet të zhvillojë takime me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian në Bruksel.
Përmes një njoftimi të lëshuar më herët, Hoti kishte njoftuar, se janë planifikuar takime me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, Komisionerin për Zgjerim, Oliver Varhelyi, dhe zyrtarë të tjerë evropianë.
(M.Q / Epoka e re)