Hoti, Kurtit dhe Haradinajt: Bashkimi shqiptar ndodh në BE
Kandidati për kryeministër nga LDK-ja, Avdullah Hoti, në një tubim zgjedhor në Junik ka folur për idenë e bashkimit kombëtar duke thënë se shqiptarët do të bashkohen vetëm duke u integruar bashkë në Evropë.
Ai aludoi në deklaratat e Ramush Haradinajt dhe Albin Kurtit që proklamojnë bashkimin me Shqipërinë.
“Shteti i Kosovës është i përhershëm dhe bashkimi shqiptar ka më ndodhë. Krejt shqiptarët kanë me u bë bashkë në integrimet evropiane. Ata që, në këtë regjion të Kosovës në veçanti, lëshojnë këso farë metafora dhe populizma, e dinë shumë mirë se si bëhen këto punë. Ata e dinë se si e kanë lënë qeverinë, si i e kemi gjetur qeverinë dhe si është dashur të veprojmë ne për t’i nxjerrë me fytyrë edhe ata”.
“Nga dita e parë e deri më tash s’kemi eksperimentuar me shtetin e Kosovës dhe s’kemi lejuar askënd që të eksperimentojë. Për disa javë i kemi hapur krejt dyert e botës demokratike. Kemi rregulluar plot telashe që na kanë lënë në të kaluarën. Kemi punuar me secilën prej qeverive të BE-së dhe jam i bindur se do të bëjmë progres gjatë këtij viti”.
Hoti iu tha junikasve se evropianët i besojnë LDK-së si parti e trashëguar nga Ibrahim Rugova.
“Neve na besojnë kur shkojmë në Francë, Itali, SHBA e gjithkund sepse jemi LDK e Rugovës dhe e dinë çfarë trashëgimie politike ka kjo parti”.
Ai po ashtu tha se Qeveria e Kosovës në krye me të arriti të bëjë realitet ëndrrën e para 30 vjetëve që ushtarët kosovarë të bashkohen me ata amerikanë në misione paqeruajtëse.
“Janë gratë dhe burrat intelektualë, ushtarakët dhe punëtorët, që e kanë ideuar shtetin e Kosovës para 30 vjetëve dhe s’i kemi ndërruar parimet dhe qëndrimet. Kemi treguar se si udhëhiqet vendi dhe sot e kërkojmë besimin e qytetarëve për të vazhduar më tutje duke iu treguar atë që kemi bërë deri tash”.