Hoti, Kurtit: Taksa menjëherë të hiqet plotësisht
Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti i është kundërpërgjigjur shefit të vet, Albin Kurti, i cili sot ka kërkuar falje që s’e ka bindur LDK-në për ta hequr pjesërisht taksën ndaj mallrave serbe. Hoti ka thënë se taksa duhet të hiqet menjëherë sot dhe plotësisht. Në postimin e tij, Hoti ka ngacmuar Kurtin duke thënë se “nuk ka vend për taktizim politik me partneritetin tonë – me ShBA-në”. “Taksa duhet të hiqet SOT, MENJËHERË, PLOTËSISHT. Nuk ka vend për taktizim politik me partneritetin tonë me ShBA-në. Lojërat politike se a jemi me BE apo me ShBA nuk i shërbejnë forcimit të shtetësisë së Kosovës e të lidhjeve me partnerët tanë”, ka thënë ai.
Hoti, po ashtu, ka përmendur edhe bllokimin e fondeve të MCC-së për Kosovën. “Vëmendja jonë duhet të jetë në menaxhimin e situatës së krijuar nga Covid 19, e jo në lojëra politike që çojnë në distancim të SHBA-së nga Kosova, siç ka nisur me bllokimin e fondeve të MCC-së për Kosovë, të nënshkruara nga qeveria Mustafa”, ka shtuar numri dy i qeverisë.