Hoti: Kuvendi të ndërpresë degradimin e RTK-së
Ish-kryeministri i Kosovë, njëherit deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti ka shkruar për skandalet e mëdha të Radio Televizionit të Kosovës. Ai ka thënë se janë shqetësuse këto çka po ndodhin në RTK, dhe se përdorimi i mediumit publik kundër gazetarisë kritike duhet të përgjigjen para ligjit.
“Është obligim shtetëror i Kuvendit të Kosovës të ndërpresë degradimin e mediumit publik”, ka shkruar Hoti.
Postimi i plotë:
Zhvillimet në mediumin e vetëm publik të Republikës së Kosovës, RTK, janë tepër shqetësuese.
Tendenca për përdorim të këtij mediumi publik kundër gazetarisë kritike duhet të marrë përgjigje sipas kushtetutës dhe ligjit. Është e qartë se Bordi dhe menaxhmenti i RTK-së nuk kanë as fuqi dhe as vullnet për tu marrë me situatën e krijuar.
Është obligim shtetëror i Kuvendit të Kosovës të ndërpresë degradimin e mediumit publik.
Është obligim shtetëror i opozitës në veçanti të ndërmarrë veprimet kushtetuese e ligjore, në Kuvend dhe jashtë Kuvendit, për të ndërprerë udhëheqjen e mediumit publik nga ‘komisarët politik të Kurtit’ përmes kukullave të tyre të vendosura në Bordin dhe menaxhmentin e RTK-së.
Komisionet përkatëse Parlamentare janë vonuar që të ftojnë për raportim Bordin bashkë me menaxhmentin e RTK-së dhe Drejtorin e AKI-së, si hap i parë në veprimet që duhet të ndërmerren.