Hoti: Lojërat për ‘korrigjim të kufijve’, të kota
Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se lojërat për shkëmbin të territoreve apo korrigjim të tyre janë të kota.
“Kosova është pranuar shtet i pavarur në kufijtë e vitit 1989. Janë mbi 110 vende që na kane njohur në ata kufij. Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë merr parasysh ata kufij dhe bazuar në këtë opinion na kanë njohur shtetet më të fuqishme dhe demokratike të botës. Askush nuk ka të drejtë të diskutojë për territorin e Kosovës, sepse do të binte ndesh me vullnetin e popullit të Kosovës për shtet të pavarur, të shpallur me Deklaratën e Pavarësisë më 17 shkurt 2008, dhe me Kushtetutën e Kosovës. Lojërat me fjalë si ‘shkëmbin territoresh’ dhe ‘korrigjim të kufijve’ janë te kota, por po na kushtojnë me stopim të plotë të njohjeve të reja”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se ideja që kjo çështje mund të diskutohet në dialogun me Serbinë e ka nxjerrë jashtë funksioni diplomacinë e Kosovës. “Sot në asnjë takim a forum ndërkombëtar nuk diskutohet për njohje të reja që duhet t’i vijnë Kosovës, sepse liderët institucional të Kosovës kanë dhënë sinjale se do ta rishikojnë tërësinë territoriale të Kosovës. Kjo është e pafalshme dhe do të ndëshkohet nga qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Hoti.
/Epoka e re/